Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, ka folur në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), ku po merr pjesë edhe kryediplomati serb, Ivica Daçiq,
Ajo ka deklaruar se Daçiq është kriminel lufte dhe se për këtë duhet të dalë para drejtësisë, derisa akuzoi se ai i përbuz viktimat e luftës në Kosovë.
Që Daçiq është kriminel, Gërvalla është shprehur se do ta thotë në tri gjuhë: shqipe, angleze e serbe.
“Do ta them në gjuhën shqipe dhe do ta them si një fjali të vetme në gjuhën serbe gjithashtu, Ivica Daçiq tani ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë, është përgjegjës për krime luftë, vrasje masivë, përdhunim, dhe duhet të sillet para një triubunali për krime luftë”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka përmendur edhe postet që Daçiq e presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ishin bashkëpunëtorë të “Kasapi i Ballkanit” që është përgjegjës për luftërat serbe.
“Vuçiq e Daçiq që duan një rend që dirigjohet nga Moska, por kjo s’mund të ekzistojë. BE, NATO dhe Kombet e Bashkuara se lejojnë një vend ku pushtimi e invazioni janë mënyra të udhëheqjes”.
Ajo foli edhe për raportin e UNMIK-ut, ku ka thënë se vetë UNMIK-u nuk po kontribuon për paqen.
“Në raportin e UNIMK-ut, Samiti i Berlinit përmendet veç si fusnotë. As samiti i mbajtur në Berlin në nëntor të vitit 2022, as samiti i parë i mbajtur në histori të Ballkanit në Tiranë nuk përmenden në raport”, ka deklaruar Gërvalla.
Ajo ka përmendur marrëveshjet që kanë dalë nga Procesi i Berlinit, teksa shtoi se Serbia veç e ka bllokuar procesin dhe se Serbia e ka në ADN politike që të mos e mbaj fjalën.
“Është një fakt i njohur ndërkombëtarë se kur Kosova premton diçka, e mban fjalën. Nuk jemi zmbrapsur asnjëherë nga asnjë marrëveshje e nënshkruar por kjo nuk vlen për Vuçiqin, Daçiqin e kolegët e tyre”, ka thënë ajo.
Ministrja e Jashtme më tej ka thënë se ka zëra nga Holanda e Gjermania që po thërrasin për sanksione ndaj Serbisë, pasi sipas saj, “nuk negociohet me mashtrues, por mashtruesit duhet të përballen me pasoja”.
Gërvalla gjithashtu ka thënë se presidenti i Këshillit të Sigurimit për muajin prill, ambasadori rus Vassily Nebenzia, ia ka mohuar asaj të drejtën për ta mbajtur fjalimin e saj në shqip. Nebenzia e ka mohuar këtë duke thënë se Gërvalla do të ishte lejuar të fliste në shqip nëse do të kishte insistuar.
Në këtë mbledhje që po mbahet në New York, ministres së Jashtëm të Serbisë Ivica Daçiqit iu lejua që të flas në gjuhën serbe, por ministres Gërvalla iu ndalua të flas në gjuhën shqipe, edhe pse ajo bëri një kërkesë për këtë gjë.
Këtë e bëri të ditur vet ministrja Gërvalla, e cila nisi fjalimin e saj, duke thënë se meqenëse Daçiqi kishte refuzuar të flas në gjuhën angleze siç ndodh zakonisht në seancat e Këshillit të Sigurimit, dhe mbajti fjalimin në gjuhën serbe, kërkesë për të folur në gjuhën e shtetit të saj kishte bërë edhe ajo, por se kjo e drejtë iu mohua.
Nga Këshilli i Sigurimit, i kërkuan asaj që fjalimin ta mbajë në gjuhën angleze.
Megjithatë ministrja Gërvalla nuk është pajtuar me këtë standard të dyfishtë, dhe trajtim të pabarabartë mes Kosovës dhe Serbisë.
Ndër të tjera, Gërvalla ka deklaruar se Serbia po e rrit varësinë ndaj Rusisë dhe ky shtet sipas saj, nuk konsiderohet demokratik për shkak të veprimeve.
Sipas saj, Serbia nuk dëshiron marrëveshje me Kosovën, por vetëm çrregullime të çfarëdoshme.
Po ashtu, sipas Gërvallës, shteti serb është duke e rritur varësinë ndaj Rusisë, e kjo siç ka thënë ministrja, është dëshmuar me marrëveshjen e nënshkruar me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov, për forcimin e politikave të jashtme.