Pas sulmit kibernetik ndaj Deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, i njëjti, tashmë e ka paraqitur rastin në polici.
Kështu është bërë e ditur në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, në të cilin thuhet se, rasti po hetohet nga njësitë kompetente.
“Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se nga e hëna e 14 marsit i është pamundësuar qasja në faqen e rrjetit social Facebook dhe në të janë postuar fotografi. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Rasti duke u hetuar nga njësitë relevante”, thuhet në raportin e policisë.
Ndërkaq, Selmanaj përmes një shkrimi në Facebook kishte bërë të ditur se, adresa e tij zyrtare në këtë rrjet social tashmë ishte bërë cak i sulmeve kibernetike.
“Ju njoftoj që ka disa ditë që adresa ime zyrtare në Facebook është cak i sulmeve kibernetike nga persona të papërgjegjshëm”, kishte shkruar Selmanaj.
Po ashtu, deputeti Selmanaj kishte paralajmëruar se do të nisë procedurat policore.
“Si rezultat i kësaj nga e hëna e kaluar mua më është pamundësuar qasja në adresën time zyrtare, dhe me shumë gjasë kontrollin e kësaj faqe tashmë e ka dikush tjetër”.
Ndërkaq, është shprehur se gjatë këtyre ditëve ka bërë përpjekje që të rikthejë llogarinë e tij, por, që një gjë e tillë ka qenë e pamundur.
“Përkundër përpjekjeve të mia ende nuk kam arritur ta rikthej nën kontrollin tim”.
Ndërkohë, bazuar në raportin e policisë, është bërë e ditur se brenda 24 orëve të fundit në Kosovë janë arrestuar, gjithsej, 26 persona dhe 12 janë dërguar në mbajtje.