Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, i është dhënë Çelësi i Qytetit nga Komuna e Tetovës.
Osmani në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ka vizituar komunën e Tetovës, ku është pritur në takim nga kryetari i kësaj komune Bilall Kasami, i cili e ka nderuar atë me Çelësin e Qytetit, çmim ky që u dha për herë të parë nga komuna e Tetovës.
Pas dhënies së këtij çmimi, Osmani ka vlerësuar rolin historik të Tetovës për shqiptarët e Kosovës gjatë luftës, duke hapur dyert e saj për strehimin e refugjatëve të dëbuar me dhunë nga regjimi serb.
Siç ka njoftuar Zyra e Presidencës, në takim me kryetarin Kasumi, ndër të tjera është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit me komunat kosovare në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve nga të dy shtetet.
“Tetova dhe qytetarët e saj janë gjithnjë në zemrat e qytetarëve të Kosovës, prandaj sot, së bashku me kryetarin Kasami, rikonfirmuam angazhimin tonë për kultivimin e mëtejshëm të raporteve tona të veçanta”, ka thënë Osmani.