Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti, ka akuzuar partitë opozitare se janë duke krijuar kauza të rrejshme dhe pa fakte kundër Qeverisë së Kosovës.
“Kemi pasur marrëveshje ndërkombëtare që kërkuan 80 vota, që pa opozitën ato marrëveshje nuk kalojnë. Nuk e panë të arsyeshme opozita që të qëndrojë në sall për këtë punë. Të nesërmen thirrën seancë të jashtëzakonshme për ta debatuar për këtë punë, ne si mazhorancë vazhduam me seancë dhe i kaluam disa ligje, disa raporte sepse i patëm votat. Mirëpo më vjen keq prej partive opozitare që nuk po munden të ndërtojnë asnjë kauzë, të gjitha i kanë fallco, të gjitha i kanë pa fakte, këta kanë pasur dëshirë që edhe zoti Berishaj të jetë i lidhur dhe të dal Ambasada mirëpo kanë dështuar”, ka deklaruar ai në Debat Plus.
Po ashtu, ai ka thënë se opozita e ka pamundësuar mbajtjen e seancës plenare dhe punimet e rregullta te Parlamentit të Kosovës duke i goditur bankat e Kuvendit “që i kanë dëmtuar që të formohet një Komision Hetimor nga i cili nuk ka dalë asgjë”.
“E kemi pasur zotin Martin Berishaj në atë komision dhe i shtyheshin me bërryla se cili me përqaf më i pari nuk të lenin vend as me i fol atij”, është shprehur Haliti.
Ndërsa, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, i është kundërpërgjigjur deputetit Haliti duke thënë se opozita vetëm e ka akuzuar sepse siç ka thënë ajo ambasadori Martin Berishaj është i partisë në pushtet.
“Ne nuk e kemi përfaqur, vetëm e kemi akuzuar dhe e akuzojmë. Ai është u juaji nuk është i joni”, ka deklaruar Kadrijaj.
Ndërkaq, Haliti ka thënë se atë nuk i kanë lejuar rast partitë opozitare të flas me Berishajn edhe pse e kishte parë për herë të parë në Komisionin Hetimor.
Ndryshe, deputeti Haliti ka deklaruar se arrestimi i kreut të KEK-ut, Nagip Krasniqi nga Prokuroria është bërë me qëllim të krijimit të një spektakli për të prishur imazhin e menaxhmentit të ri të Korporatës Energjetike të Kosovës.
“Deri më tani ende nuk kemi asgjë zyrtare ka dyshime, por për atë se çfarë flitet ajo kontratë është prishur në fillim të muajit mars, dhe tani jemi ne fund të muajit prill. Kanë pritur hiç më pak se dy muaj ditë do të thotë që ta arrestojnë dhe të bëjnë spektakël”, ka thënë ai në Debat Plus.
Ndër të tjera, Haliti ka thënë se për këtë rast nuk ka asnjë dëshmi edhe pse në të kaluarën ka pasur “afera” të ndryshme nuk kanë ndodhur “spektakle të arrestimit” në vendin e punës si në rastin e Krasniqit.