Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se nuk është në interesin e Kosovës me qenë funksional ekipi menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
“Një institucion i cili e konsideron veten se është i Kosovës, duhet të veprojë sipas kushtetutës dhe ligjeve tona dhe interesit tonë shtetëror, nëse një institucion nuk është i Kosovës në kuptimin e sjelljes së tij, mban qëndrime që nuk janë të Kosovës, por të Serbisë, nuk mendoj se është interes i Kosovës të vazhdojë më ai institucion”, tha Konjufca në një prononcim për media.
Ai tha se te ky ekip nuk është problem vetëm sjellja dhe papërgjegjësia e tyre karshi institucioneve të Kosovës, por edhe kryesimi i tij nga një deputete e Kuvendit të Serbisë.
“Një deputete e Kuvendit të Serbisë nuk mund të jetë kryesuese e ekipit menaxhues, si mundet një deputete e Serbisë ta prezantojë Kosovën ”, tha ai.
Këto komente kryetari i Kuvendit i bëri pas një tryeze diskutimi të organizuar nga IKD, lidhur më punën e Kuvendit të Kosovës./ KP