Gara tradicionale ndërkombëtare e ushtarit më të mirë, e organizuar në Kazermën e FSK-së në Ferizaj, ka nxjerrë në vendin e parë ushtarin e Kroacisë, Maijan Jeliç, ndërkaq si ushtari më i mirë i FSK-së u zgjodh Armend Neziraj, i cili bën pjesë në regjimentin e dytë në Istog.
Nëntë shtete kanë qenë pjesëmarrëse me ushtarët e tyre që kanë mbajtur testin fizik, të njohurive të përgjithshme, gjuajte me armë, navigim tokësor, hedhja e granatës, ndihma e parë, vëzhgimi i terrenit dhe marshimi.
Rreshter-majori i FSK-së, Bedri Zuka, i cili njëherësh ishte udhëheqës i garës së FSK-së, ka thënë se gara ka qenë katër ditë dhe është realizuar në bazën e FSK-së në Ferizaj.
“Pjesëmarrës ishin 9 shtete. Ishte e rëndësishme që të kemi bashkëpunim shoqëror, profesional dhe të kemi një pasqyrë të mirë të FSK-së. Shpresoj se të gjithë ndërkombëtarët dhe vendorët janë ndarë të kënaqur me aktivitetet”, ka thënë midis të tjerash Zuka.
Ndërkaq, ushtari Neziraj ka thënë se ishte i përgatitur mjaft mirë për të marrë pjesë në këtë garë, e cila i teston aftësitë fizike dhe psikike të ushtarëve.
“Shpresoj që këto afate t’i testoj edhe në gara të tjera jashtë vendit. Në këtë garë ka pasur ushtarë të mirë dhe të përgatitur, mirëpo unë me përgatitje ia kam dalë të jem i pari”, ka thënë Neziraj.
Në kuadër të kësaj gare ndërkombëtare, pjesëmarrës ishin 42 ushtarë nga shteti i Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Kroacisë, Amerikës, Jordanisë, Kanadasë dhe Sllovenisë.