Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka filluar vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës(SHBA).
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit, bëhet e ditur se gjatë qëndrimit në SHBA, Kryeministri do të takohet me zyrtarë shtetërorë, udhëheqës të ndërmarrjeve, përfaqësues të organizatave, si dhe komunitetin shqiptaro-amerikan.
“Sot, do të takohet me përfaqësuesit e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC)”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, kjo vizitë e Kurtit në SHBA është bërë katër ditë para datës që ishte mësuar nga PortaliD.
Nga burime të mirë informuara, Portali D ka arritur të marrë vesh se Kryeministri Kurti do të shkojë për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më datë 10 maj.
Lidhur me këtë vizitë të Kurtit, për detajet dhe nivelet e takimeve, PortaliD ka dërguar pyetje në Qeverinë e Kosovës me datën 4 maj, por ende nuk ka marrë përgjigje.
Ndryshe, të mërkurën kancelari gjerman, Olaf Scholz ka pritur në takime të ndara, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në takimin me shefin e Qeverisë, kancelari gjerman i kërkoi konstruktivitet në procesin e dialogut me Serbinë, ndërsa ka shprehur mbështetjen e Gjermanisë për procesin e liberalizimit të vizave.
Ndërkaq, të enjten, Kurti ka takuar në Prishtinë, ministren e Mbrojtjes së Gjermanisë, Christine Lambercht.