Muralet – arti publik që shndërron qytetet në vepër arti

Një mënyrë unike për të shprehur artin po bëhet një instrument për të rikthyer identitetin dhe krenarinë e një qyteti. Bardhyl Dobroshi është artist i cili prej disa vitesh ka filluar një lëvizje për sensibilizimin e artit publik në Kosovë. Duke krijuar murale nëpër qytete, ai synon të ndryshojë pamjen e mjedisit urban dhe të promovojë kulturën lokale me shumë të rinj nga Kosova dhe jashtë saj

“ASTRONAUT” Artist: Donit Avdyli, foto nga organizta "Futja Ngjyrë", Mitrovicë.

Muralet janë një formë e artit publik që mund të ndikojnë thellësisht në pamjen e një qyteti dhe janë një mënyrë e përsosur për të shtuar ngjyrë e kulturë në ambientin e ndërtesave dhe rrugëve.

Në një qytet, muralet e bukura mund të ndihmojnë në rikrijimin e pamjes së një zone që më parë mund të konsiderohej si e paparë dhe e pisët.

Ato gjithashtu mund të ndihmojnë në rikthimin e krenarisë dhe identitetit të qytetit, duke e bërë atë më tërheqës dhe më të shndritshëm për banorët dhe turistët.

Organizata “Futja Ngjyrë” pikërisht këtë e ka filluar si nismë në vitin 2015, kur disa pjesë të qytetit të Mitrovicës filluan të veshën me disa ngjyra dhe vija të thjeshta, por kjo sipas themeluesit të organizatës nuk ishte edhe shumë interesante.

Tashmë kanë kaluar 8 vjet që kur organizata ka vazhduar me punën dhe kishte nevojë për ide të reja. Për këtë arsye, ata kanë nisur të organizojnë workshop-e dhe kanë thirrur artistë të rinj për të krijuar murale me tema të lidhura me trashëgiminë kulturore të qytetit.

Pamje nga murali i realizuar në Mitrovicë nga të rinjtë e organizatës “Futja Ngjyrë”.

Ideja nga ana e organizatorëve ka qenë të theksohet trashëgimia kulturore dhe shpirtërore e qytetit të Mitrovicës.

Në një intervistë për portalin Dukagjini, Bardhyl Dobroshi, udhëheqës i organizatës, ka thënë se pjesa më e madhe e atyre që kanë punuar në projekte nuk kanë qenë vetëm nga Mitrovica dhe se të rinjtë nuk janë artistë që bëjnë murale, por këtë formë arti e kanë mësuar nga trajnimet.

Sipas tij, organizata “Futja Ngjyrë” ka si qëllim kryesor shkollimin joformal të të rinjve nëpërmjet vizatimit, fotografisë, videos dhe audios.

Duke e bërë këtë, ata synojnë të ndryshojnë Mitrovicën dhe t’i mësojnë të rinjët se si të bëjnë ndryshime pozitive në qytetin e tyre.

“Organizata është e hapur për të gjithë të rinjtë, jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj. Kemi edhe kolegë që janë krejtësisht jashtë Kosovës, të cilët kanë qenë nga Serbia, ne kemi qenë në veri të Mitrovicës, i kemi parë duke u ngjyrosur, i kemi thirrur nëse duan të vijnë të ngjyrosin me ne. Ne kemi bërë edhe disa bashkëpunime me ta, ata kanë mësuar diçka nga ne, dhe në të njëjtën kohë kemi mësuar diçka prej tyre”, është shprehur ai.

Dobroshi ka përshkruar disa nga projektet që organizata ka ndërmarrë. Projekti i parë u quajt “Futja Festë” dhe shumica e projekteve që ata ndërmarrin emërtohen duke përdorur fjalën “futja”.

Murali i realizuar në Mitrovicë, Artist: Djordje Mijalioviq

Ai ka treguar se e organizuan projektin “Futja Festë” për nder të festës së Pavarësisë së Kosovës. Ata kishin disa miq DJ që luanin muzikë falas dhe së bashku në atë ditë feste u siguronin njerëzve në Mitrovicë pije falas.

Një tjetër projekt që ata bënë quhej “Promaja”, dhe aktualisht janë duke punuar në një projekt të quajtur “Futja Zanatin”, të cilin shpresojnë ta fillojnë brenda dy muajsh duke nisur fillimisht me organizimin e konkurseve.

Udhëheqësi i organizatës ka shpjeguar se nuk kanë marrë shumë mbështetje nga institucionet në Mitrovicë. Megjithatë, ata po përpiqen të komunikojnë me departamentet përgjegjëse për të marrë leje për pikturimin e muraleve në zona të caktuara publike.

Ata janë përballur me disa vështirësi kur hapësira ishte private dhe nuk kanë qenë në dijeni të saj. Megjithatë, ata nuk janë dorëzuar dhe janë të lumtur që njerëzit në përgjithësi e mbështesin punën e tyre.

Rikthimi i figurës ikonë të Muharrem Qenës, artistit shumëdimensional nga Mitrovica, në një mural të krijuar nga organizata “Futja Ngjyrë”

Në fakt, sipas tij, ata e kanë më të lehtë të punojnë në ambiente private, sepse thjesht mund të kërkojnë leje për të pikturuar dhe të marrin një përgjigje pozitive nëse pronarëve u pëlqen ideja.

“Nuk jemi ndalur asnjëherë, e mirë është që përveç komunës edhe njerëzit po kanë dëshirë me pa mirë, janë të rralla ato raste ku njerëzit nuk të lejnë vetëm për inati. Bile në hapësirat private e kemi më lehtë sepse vetëm shkojmë  e pyesim nëse bënë me vizatu vetëm na japin përgjigje vizatoje kur iu pëlqen. Por me komunë na duhet me apliku tek drejtoria përkatëse fillimisht, por për momentin gjithçka po shkon shumë mirë”, ka treguar ai për Dukagjinin.

Ai ka vlerësuar rëndësinë e muraleve sepse ato i bëjnë hapësirat publike të qytetit më tërheqëse dhe më të bukura për njerëzit. Sipas tij, në vend që të shikojnë hapësira të shëmtuara dhe të ndotura, muralët i bëjnë ato tërheqëse për syrin dhe sjellin një ndryshim pozitiv në mjedisin urban.

Ai gjithashtu beson se kjo punë është e rëndësishme për të rinjtë, pasi i ndihmon ata të mësojnë, të socializohen dhe të ndërtojnë rrjetëzim në mesin e tyre.

Bardhyl Dobroshi, themeluesi i organizatës “Futja Ngjyrë” duke ngjrosur ne një hpësirë publike në Mitrovicë

Gjersa ka folur për projektet e tyre, Dobroshi ka përmendur një projekt të realizuar vitin e kaluar, në të cilin ata krijuan një puzzle dhe e ndanë me të rinjtë në shtatë qytete kryesore të Kosovës.

Ky projekt quhej “Njerëzit dërgojnë drejtësi”, dhe ata tentuan të paraqesin shtatë shtyllat e drejtësisë në shtatë puzzle të mëdha.

Ky ishte një nga projektet më të mëdha që ata kanë krijuar, dhe sipas tij, ata po mendojnë për zgjerim të aktiviteteve të tyre tashmë edhe jashtë Mitrovicës.

Sesi të rinjtë mund të bëhen pjesë e kësaj organizate, ai ka thënë se mund të i kontaktojnë nëpërmjet mesazheve në rrjetet sociale dhe vlen për secilin brenda dhe jashtë vendit.

Po ashtu, ai ka treguar se çdo projekt që e kanë e postojnë ne rrejte sociale, dhe në secilin projekt mundohen të marrin një numër prej 30 deri në 40 të rinj për t’iu bashkuar atyre. “Ne jemi të hapur për të gjithë ata që janë të interesuar të marrin pjesë në aktivitete tona dhe të jenë pjesë e komunitetit tonë kreativ”, ka thënë ai.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika