Këtë pamje e ka tash e disa muaj, një pjesë e Lumit Klina.
Reshjet e shumta të shiut përveç dëmtimeve në infrastrukturë e amvisëri të shkaktuara në Komunën e Skënderajt, shkaktuan edhe dëmtime të tjera në ambient. Qeset e plastikës, e edhe mbeturina të tjera kryesisht të plastikës, janë ato që dominojnë edhe 3 muaj pas vërshimeve këtu në Lumin Klina, që kalon edhe në Lllaushë.
Institucionet përgjegjëse ndër vite kanë dështuar që t’i japin një zgjidhje kësaj cështje, derisa këto qese vazhdojnë të jenë prezent kudo nëpër vende publike.
Megjithëse me vonesë, dhe Kosova si shtete të tjera, ka nisur ndyshimet ligjore që qeset e plastikës, që janë ndër ndotësit më të mëdha të mjedisit, të bëhen me pagësë.
Muaji Janar, ishte përmendur, si opsion kur do të filloj implementimi i Udhëzimit Administativ, që parasheh një gjë të tillë, por kjo ende nuk ka ndodhur.
Kujtim Gjevori, është prodhues i qeseve të plastikës, dhe ishte pjesë e grupit punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ, për ambalazh dhe mbeturinat nga ambalazhi, i nisur tash e një vit.
Ai thotë se me këtë udhëzim parashihet që qeset një përdorimshe, të ndalohen tërësisht, e disa të tjera të bëhen me një taksë prej 5 centëve.
“Udhëzimi i ri administrativ parashikohen të ndalohen qeset një përdorimshe, respektivisht këto qeset e holla, të cilat janë shumë të holla që janë nga 0 deri në 25 mikrona, dhe të ndalohen shitja prodhimi, importimi dhe trektimi i tyre, kurse qeset mbi 25 mikrona të lejohen me një taksë prej 5 centve që duhet të paguhet te arka nga konsumatori”, ka thënë Kujtim Gjevori, nga “SCAMPA”.
Për vonesat në implementimin e tij, ai thotë se është përgjegjëse ministria e Mjedsisit, tek shton se ky institucion duhet të bëjë më shumë për të mos lejuar informalitetin e prodhimit të këtyre qeseve.
Gjevori që përfaqëson prodhuesit vendor të qeseve të plastikës, ka kritika që institucionet nuk u kanë dhënë kohë mjaftueshëm, që të ndërrojnë prodhimin e tyre.
“Ky treg a do të mund të monitorohet nga inspektorati që të tjerët të mos shesin qese të holla, dhe të na dëmtojnë neve sepse askush nuk do t’i blejë qeset e trasha që janë dyfish më të shtrenjta, kur gjen ende në treg qese të holla”, ka thënë Gjevori.
Vendosja e një takse për qeset e plastikës ishte e përfshirë edhe në strategjinë e Kosovës për Mjedisin, për vitin 2013- 2022.
Nga Ministria e Mjedisit, nuk kanë treguar arsyet e mos implementimit udhëzimit që parashihet një pagesë e tillë e as se kur pritet të ndodhë një gjë e tillë.
Në një përgjigje me shkrim nga ky institucion kanë thënë se janë duke i shqyrtuar komentet e bëra nga palët pas diskutimit publik, dhe më pas Udhëzimi administrativ për ambalazh dhe mbeturinat nga ambalazhi, do të dërgohet në qeveri.
Në përgjigjen e tyre, pranojnë se as nuk është bërë ndonjë analizë për dëmet e tyre, por mostra janë bazuar në opionone të vendeve të ndryshme, që konstatojnë dëmin në mjedis.
“U.A. për ambalazh dhe mbeturinat nga ambalazhi ka qenë në diskutim publik deri me datë 05.04.2023, dhe tani komentet e ardhura nga diskutimi publik janë duke u shqyrtuar dhe inkorporuar nga grupi punues, pastaj U.A. do të procedohet më tutje për procedurat e nevojshme dhe në fund do të miratohet në Qeveri. Ministria me mbështetje të GIZ-it ka bërë një analizë-hulumtim për sasinë e qeseve plastike në vendin tonë të përdorura, e sa i përket pyetjes suaj për analizë ose hulumtim se sa janë të dëmshme qeset e plastikës në natyrë nga ministria nuk është bërë një analizë e tillë por bazuar në opinionet e vendeve të ndryshme dihet se ato janë të dëmshme për mjedisin. Ministria është duke hartuar legjislacionin U.A. për ambalazh dhe mbeturinat nga ambalazhi ku hynë edhe pagesa si masë e reduktimi të qeseve plastike”, kanë thënë nga Ministria e Mjedisit.
Të vonuar, por shumë të rëndësishme, e shohin edhe ambientalistët këtë nismë, tek thonë se një ide e tillë është përmendur që nga viti 2013.
“Njëri prej ndotësve thuajse kryesore të mjedisit në Kosovë, është plastika, ky vendim është shumë i rëndësishëm, se ndikon në mjedis, por më së shumti ndikon në rritjen e vetëdijes, ne shohim qese të plastikës, kudo, dhe kemi shpërndarje të tyre në numer të pakontrolluar”, ka thënë Luan Hasanajn nga “Let’s do it Kosova”.
Për të mbrojtur ambientin, qytetarët thonë se institucionet duhet të veprojnë sa më shpejtë, dhe se pajtohen që qeset e tilla të bëhen me pagësë.
“Ma mir valla me ba, moti i kisha hek se përpara nuk kemi pasur qese dhe i merrshim me vete, edhe kejt po e bëjnë bërllog qeto”, ka deklaruar Beqir Igrishta, qytetar.
“Po unë këto i kisha hek krejt si kisha përdor me pagesë, hic se hic se këto shumë e ndotin ambientin, edhe i kisha përdor të letrës, e këto hic fare, ose me mbajt shporta secili për vete”, ka thënë Ragip Bajrami, qytetar.
Qeset e plastikes konsiderohen si ndër ndotësitë më të mëdhenjë të natyres, pasi që varësisht nga lloji i ty re, mund t’u duhen madje qindra vite deri në dekompozimin, e që në shumicën e rasteve nuk është i plotë, duke rezultuar në desintegrimin në copa më të vogla që quhen mikroplastika.
Këto të fundit, përveç ndikimit negativ në ekosistem, ato kanë ndikim negativ edhe në shëndetin e njerëzve e kafshëve në rast se depërtojnë në zinxhirin ushqimor.