Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se shteti i Kosovës ende nuk ka arritur të ofrojë trajtim meritor për çdo punëtor në cilindo sektor që punon.
Krasniqi ka uruar qytetarët për Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, duke shprehur mirënjohje për rolin dhe kontributin e secilit punëtor.
“Sot, më 1 Maj, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, shpreh mirënjohje për rolin dhe kontributin e secilit punëtor në shoqëri, duke u zotuar për krijimin e kushteve më të mira të punës, respektimin e plotë të të drejtave të tyre, paga dinjitoze dhe mundësi më të shumëta për të gjithë”, ka shkruar në rrjetin social, Facebook.
Ndër të tjera, ai ka thënë se sfidën e madhe të emigrimit masiv të të rinjve tanë që kërkojnë një perspektivë larg Kosovës, duhet të tejkalohet përmes angazhimit konkret në krijimin e një ambienti të favorshëm që ofron mundësi të barabarta, vende pune me paga konkurruese dhe vlerësim të drejtë për kontributin e punëtorëve.
Në Kosovë, 1 Maji shënohet si një ditë e lirë nga puna dhe është një ditë për t’i festuar arritjet dhe kontributet e punonjësve në shoqëri.
Megjithatë, si jo rrallëherë, punonjësit do ta shënojnë me protestë.
Kryetari i Federatës Sindikale të Sektorit Privat në Kosovë, Jusuf Azemi, për Dukagjinin ka thënë se Kosova tashmë ka nisur të ketë vështirësi për të gjetur punëtorë, ndërsa së bashku me ekonomistin Naim Huruglica, pajtohen se zëvendësimi i tyre me robotë është i vështirë dhe nuk mund të arrihet në një kohë të afërt.