Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën e një majit, ka njoftuar për bisedën me Këshilltarin e Lartë në Departamentin e Shtetit në SHBA, Derek Chollet.
Me anë të një postimi në Twitter, Kurti ka thënë se gjatë kësaj bisede është diskutuar për agjendën e takimit të 2 majit në Bruksel.
Ai ka theksuar rëndësinë që Marrëveshja Themelore dhe Aneksi i saj duhet të zbatohen në tërësi dhe në mirëbesim.
“Pata një telefonatë të mirë me Këshilltarin e Lartë në Departamentin e Shtetit në SHBA, Derek Chollet, sot, ku diskutuam agjendën e takimit të nesërm. Theksova rëndësinë që Marrëveshja Bazë dhe Aneksi i saj duhet të zbatohen në tërësi dhe në mirëbesim. E falënderova edhe për mbështetjen e SHBA-së”, shkroi Kurti.
Had a good phone call with @CounselorDOS Derek Chollet today, where we discussed the agenda for tomorrow's meeting. I emphasized the importance that the Basic Agreement & its Annex must be implemented in its entirety and in good faith. I also thanked him for the U.S. support.
— Albin Kurti (@albinkurti) May 1, 2023
Ndryshe, Chollet, ka njoftuar se një ditë para takimit në Bruksel në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka zhvilluar një bisedë me kryeministrin Kurti.
Kjo lidhur me takimin e dy majit, teksa ka shprehur rëndësinë e zbatimit të menjëhershëm të Asociacionit.
Kështu ka bërë të ditur vetë Chollet në një postim në llogarinë e tij në Twitter.
“Kam pasur një bisedë shumë të mirë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për takimin e 2 majit të liderëve lidhur me normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë përmes Dialogut të Lehtësuar nga BE-ja, dhe shpreha rëndësinë e zbatimit të menjëhershëm të Asociacionit për Komunat me shumicë Serbe dhe partneritetin e fortë SHBA-Kosovë”, shkroi Chollet.
Kryeministri Albin Kurti do të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq më 2 maj në Bruksel.
Bashkimi Evropian ka publikuar agjendën, ku fillimisht do të bëhet nënshkrimi i deklaratës për personat e zhdukur si pikë e parë, e cila do të pasohet me diskutimet për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.