Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 24-vjetorin e masakrës së Studimes së Vushtrrisë, teksa ka përkujtuar viktimat, i ka bërë thirrje sistemit vendor të drejtësisë që të veprojë për ndriçimin e së vërtetës.
Me anë të një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se krimet e luftës nuk parashkruhen as nuk vjetërsohen.
Ai ka theksuar se gjaku i derdhur për liri nuk shlyhet kurrë, siç nuk mund të shlyhen krimet e Serbisë në Kosovë.
“Në këtë 24-vjetor përkujtojmë martirët e Masakrës së Studimes së Vushtrrisë. E kaluara jonë është vendimtare për të tashmen dhe të ardhmen tonë. I bëj thirrje sistemit tonë të drejtësisë që të veprojë për ndriçimin e së vërtetës. Dënime për kriminelët e luftës dhe drejtësi për viktimat. Krimet e luftës nuk parashkruhen as vjetërsohen. Vuajtjet e popullit tonë janë të njoma përherë. I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë martirët dhe dëshmorët e lirisë”, shkroi Kurti.
Nё ditёt e para tё muajit maj 1999, forcat serbe dogjën fshatrat e Vushtrrisё dhe dëbuan me dhunë banorët.
I urdhëruan tё largohen drejt Shqipёrisё.
Më 2 maj të vitit 1999, në fshatin Studime të Vushtrrisë, forcat serbe nxorën nga kolona dhe i pushkatuan 116 civilë shqiptarë.
Ekzekutuan fëmijë para syve të prindërve, vranë të rinj e pleq, e edhe gra shtatzëna.
Familjes Gërxhaliu ia vranë 36 anëtarë, nga mosha 85 vjeç deri në 5 vjeç.