Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se negocimi i statutit të asociacionit që ndodh këtë të martë në Bruksel, është veprim i një politikani që shkel mbi çdo gjë për të ruajtur pushtetin.
Kështu ka theksuar Hoti në një shkrim në Facebook, duke akuzuar Qeverinë aktuale në krye me kryeministrin Albin Kurti, se i njëjti dikur me dhunë kundërshtonte Asociacionin.
Sipas tij, sikur bisedat e sotme në Bruksel lidhur me asociacionin të ishin pjesë e “Marrëveshjes finale, ligjërisht të obligueshme, për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ndoshta do t’i kishte kuptuar dhe arsyetuar qeveritarët aktualë.
“Por, pa kurrfarë premtimi për njohje reciproke, e me gjithë atë dhunë që kreu aktual i qeverisë ka përdorur për të kundërshtuar Asociacionin, negocimi i statutit të Asociacionit që ndodh sot në Bruksel, është veprim i një politikani që shkel mbi çdo gjë për ta ruajtur pushtetin”, shkroi ai.
Pavarësisht kësaj, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dyshon se ka mundësi të arrihet diçka më e mirë se ajo që parashihet në marrëveshjen e vitit 2015, ku thuhet në mënyrë eksplicite se statuti i Asociacionit duhet të marrë pajtimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës para se të miratohet nga Qeveria.
Lajçak: Ekipi menaxhues do ta prezantojë draft-statutin e Asociacionit, nuk e dimë përmbajtjen