Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka përkujtuar masakrën e Studimes së Vushtrrisë, duke thënë se 24 vjet më parë, 116 civilë të pafajshëm dhe të paarmatosur u vranë dhe u masakruan nga policia dhe ushtria serbe.
“Paramilitarët serbë nuk kursyen as fëmijët dhe të moshuarit – në planin e tyre për realizimin e gjenocidit në Kosovë”, është shprehur ai.
Po ashtu, Krasniqi ka thënë se për familjet e viktimave, për ne si qytetarë të Kosovës dhe për vendin tonë – një gjë është e sigurt: “këto krime nuk do të vjetërohen kurrë dhe ne nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi”
Masakra e Studimes, krahas mbi 400 masakrave të tjera të realizuara në të gjithë Kosovën, Krasniqi ka thënë se janë dëshmitë më të fuqishme mbi atë se kush ishte agresori e kush viktima gjatë luftës së vitit 1998/99.
“Përkundër kësaj, edhe sot 24 vite më pas, asnjë nga kriminelët serbë, ekzekutor apo urdhërdhënës, nuk ka dalë para drejtësisë vendore apo ndërkombëtare për të dhënë përgjegjësi për krimet e kryera”, ka shkruar tutje ai në rrjetin social Facebook.
Ndër të tjera, ai ka thënë se liria që gëzojmë sot ka në themele gjakun e mijëra martirëve të vendit tonë.
Të martën e 2 majit janë bërë 24 vjet qëkur forcat kriminale serbe vranë shqiptarë të pafajshëm në Studime të Vushtrrisë.
Masakra e Studimes është një ndër masakrat më të mëdha ndaj civilëve shqiptarë.
Në dy majin e vitit 1999, paramilitarët serbë vranë 116 shqiptarë të pambrojtur, ndër ta edhe shumë fëmijë e gra, përfshirë këtu edhe një nënë shtatzënë.
Brenda dy orëve ishin pushkatuar nga paramilitarët serbë 116 persona civilë që ishin në kolonë për t’u shpërngulur në drejtim të Shqipërisë.
Shumë tjerë ishin plagosur e me mijëra të tjerë pas arrestimit nga forcat serbe ishin depërtuar për në Shqipëri.