Në takimin e nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiqit, në Bruksel, më 2 maj, do të jetë i pranishëm edhe emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Kështu është bërë e ditur në një njoftim e Departamentit Amerikan të Shtetit, ku ndër të tjera konfirmohet një konferencë për media, të cilën Escobar do ta realizojë më 3 maj, një ditë pas takimit Kurti-Vuçiq.
Kjo për të folur pikërisht për takimin e 2 majit dhe rezultatit, të cilën ai do ta prodhojë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, takohen në Bruksel për një rund të ri bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve.
Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit në Ohër, më 19 mars, kur edhe janë pajtuar gojarisht për zbatimin e asaj që njihet si Marrëveshje Bazë, e që duhet të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Por, pas këtij takimi, palët i kanë interpretuar ndryshe-ndryshe detyrimet e tyre, ndërkohë që BE-ja ka theksuar se ato obligohen që t’i zbatojnë të gjitha pikat e marrëveshjes.
Dështimi për t’i zbatuar ato do të ketë pasoja, ka paralajmëruar BE-ja.