Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se në takimin e përbashkët të Kryesisë dhe Grupit Parlamentar të PDK-së, kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në vend.
“Vlerësoj lartë angazhimin dhe përkushtimin e të gjithë deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Kosovës, të cilët, në sesionin e ri parlamentar, përveç çështjes së energjisë, kanë ngritur tema me rëndësi për qytetarët të cilët po ballafaqohen me shumë vështirësi – si pasojë e një qeverie të paaftë dhe të dobët”, ka shkruar Krasniqi.
Gjatë këtij takimi është diskutuar edhe për nevojën e zgjerimit të komunikimit më të madh me qytetarët e vendit, pa dallim, “për të parë nga afër nevojat dhe kërkesat që ata kanë, si dhe për të definuar mënyrat e adresimit sa më të mirë e më serioz të tyre”.
Krasniqi ka theksuar se sipas shifrave dhe analizave, , ata të cilët po lëshojnë më së shumti Kosovën në dy vitet e fundit janë rinia, e cila sipas tij në një situatë tjetër do të duhej të ishte forca më e madhe për ndërtimin dhe zhvillimin e vendit tonë.
“E kuptoj zhgënjimin e të rinjve në kërkim të një jete më të mirë, megjithatë, largimi jo gjithmonë është zgjidhja. Qytetarët e Kosovës, veçanërisht të rinjtë, duhet të kenë besim te mundësitë që ofron vendi ynë, përkundër sfidave të kohës me të cilat po ballafaqohen. Bashkë, me shumë dashuri, vullnet e përkushtim – po, edhe me sakrificë, Kosovën mund ta bëjmë vend më të jetueshëm e të denjë për ta ndërtuar të ardhmen tonë”, ka potencuar tutje i pari i PDK-së.