“Unë si djali i një patrioti, një atdhetari të zhdukur, i lutem kryeministrit që të mos bëjë asnjë marrëveshje në dëm të Kosovës për zbardhjen apo fatin e të pagjeturve, që mund të vijë nga ana e Serbisë. Le të mbarojë historia e Kosovës me këta të zhdukur e me këta dëshmorë që në të ardhmen të mos zhdukemi e të mos vritemi edhe ne gjeneratat e reja për një marrëveshje të dëmshme për Kosovën”.
Kështu është shprehur Gentrit Shala nga Drenasi, i cili ende nuk di asgjë për fatin e babait të tij, Hafir Shala, i zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Bashkimi Evropian ka publikuar Deklaratën për personat e zhdukur, e cila u miratua në takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të martën e 2 majit në Bruksel.
Sipas kësaj Deklarate, thuhet se të dyja palët kanë njohur çështjen e personave të zhdukur si çështje humanitare dhe kanë vënë në dukje nevojën urgjente për përpjekje shtesë.
Lidhur me këtë, në një prononcim për Portali Dukagjini, Gentrit Shala ka thënë se janë në pritje të publikimit të dokumentit zyrtar për të parë se si është përfshirë termi për të zhdukurit me dhunë.
“Po presim dokumentin zyrtar që të publikohet dhe të shohim se a është përfshirë termi ‘të zhdukur me dhunë’ apo vetëm të zhdukur nga lufta e fundit, pasi dihet se të gjithë të pagjeturit në Kosovë janë zhdukur me dhunë nga forcat policore serbe, ashtu edhe siç është rasti i babait tim”, ka thënë Shala.
Për Gentritin, i cili që nga 10 prilli i vitit 1998 ka humbur kontaktet me babain e tij – Hafirin, termi “të zhdukurit me dhunë” është i rëndësishëm që të përfshihet në marrëveshjen përfundimtare midis të dyja palëve.
Kjo, sepse, sipas tij, Serbia duhet të japë llogari për të gjitha krimet që i ka kryer në Kosovë dhe jo të shfajësohet.
“Është shumë e rëndësishme për ne si shtet, si Kosovë, që ky term të përfshihet në draft marrëveshjen përfundimtare, sepse Serbia duhet të japë llogari për të gjitha krimet që i ka kryer në Kosovë dhe jo të shfajësohet dhe në të njëjtën kohë të mos marrë barrën Kosova për krimet që ka kryer shteti serb”, shtoi ai.
Ai ka theksuar se Serbia është në gjendje të bëjë gjithçka për të mos i hapur arkivat.
“Termi është me rëndësi nga ana juridike që Serbia të marrë përgjegjësi për krimet që i ka kryer, përndryshe edhe nëse është term i të zhdukurve me dhunë apo pa dhunë, ne e njohim Serbinë që do të bëjë çmos për moshapjen e arkivave, pasi dihet se në të gjitha ato arkiva dëshmohet për krimet që i ka kryer vetë shteti serb i organizuar nga policia dhe ushtria serbe”.
Midis shpresës dhe skepticizmit
Ndonëse potencoi se nuk pret të ketë zgjidhje të shpejta sa i përket kësaj marrëveshjeje, megjithatë Gentriti thotë se po pret rezultate tutje se çfarë do të ndodhë.
“Të them të drejtën duhet t’i presim hapat e radhës, të shohim se çfarë do të ndodhë, a do të ketë trysni të BE-së dhe organizatave ndërkombëtare ndaj shtetit serb, që të vazhdohet me hapat e mëtutjeshëm, pasi u bë një kohë e gjatë që kemi kësisoj dakordime të tilla me shtetin serb përmes misioneve ndërkombëtare ku janë arritur marrëveshje të ndryshme, por të njëjtat nuk është se janë zbatuar në praktikë”.
Ai është shprehur skeptik që e njëjta marrëveshje mund edhe të zbatohet në të ardhmen.
“Pasi është shumë e vështirë kur ne e njohim se çfarë shteti kemi përballë, një shtet kriminal serb, i cili po bën çmos për t’i stopuar këto procese, për të mos i zbardhur krimet e veta”.
“Misteri” i zhdukjes së Dr.Hafir Shalës
Hafir Shala që me profesion ishte mjek, kishte marrë rrugën për në Prishtinë për ta furnizuar me barna Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe popullatën civile që ndodhej në zona malore.
Ai është nisur më 10 prill të vitit 1998.
Rrugës ishte arrestuar.
“Është ndaluar nga shërbimi sekret serb në Sllatinë rreth orës 08:00 të mëngjesit. Ka qenë i shoqëruar nga dy bashkudhëtarë, të cilët kanë qëndruar në veturën, në të cilën, ka qenë edhe babai, ndërsa babain e kanë nxjerrë nga vetura dhe e kanë dërguar në një xhip të zi me xhama të errësuar, nga aty është dërguar në stacionin policor nr.1 në Prishtinë”, ka thënë Gentriti për Portali Dukagjini.
Ai thotë se në këtë stacion dyshohet se është marrë në pyetje nga Fadil Syleviq.
“Sipas dëshmitarëve, të cilët më pas edhe kanë ndërruar deklaratë”.
Që atëherë më nuk di asgjë për fatin e babait.
“Nuk kemi asnjë të dhënë nga autoritetet vendore as nga ato ndërkombëtare”.
Sipas Gentritit, babai i tij ka qenë ish-i burgosur politik, aktivist për pajtimin e gjaqeve, përfshirë edhe për të drejtat e njeriut, ka qenë aktivist i shoqatës Nëna Terezë.
Ndonëse ishte i vetëdijshëm që mund të arrestohej, vritej, masakrohej e të zhdukej, megjithatë nuk u ndal duke i shërbyer vendit e bashkëqytetarëve.
“Ka qenë i pandalshëm drejt rrugës së lirisë, këto janë çmime që ne si popull është dashur të paguajmë për të arritur deri te liria. Babai ka qenë mjek me profesion, por në të njëjtën kohë ka qenë i kyçur në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ka qenë i kyçur në organizata ilegale në atë kohë, të cilat kanë bërë organizime të ndryshme, për të organizuar luftën në 1998”.
Një libër – gjithçka që ka mbetur si kujtim
Një libër i studimeve të Hafir Shalës, ka mbetur gjithçka si kujtim nga ai për familjen e tij.
Rrobat, pajisjet, librat e dokumentet që i mbante të fshehura, janë djegur të gjitha bashkë me shtëpinë.
“Përveç një libri që e ka pasur gjatë studimeve, nuk kemi asgjë tjetër kujtim nga babai, as rroba as diçka tjetër, për shkak se edhe shtëpia në fshat ku jemi gjatë luftës është djegur, ku të gjitha dokumentet e tij, rrobat, pajisjet e tij të fshehura janë djegur bashkë me shtëpinë”, ka thënë Gentriti.
Por, ndonëse Hafiri ka arritur qëllimin e tij, sipas djalit të tij, është lehtësim i madh për familjen.
Deklarata e plotë për personat e zhdukur:
Duke theksuar rëndësinë e zgjidhjes së fatit të personave që vazhdojnë të mbeten të zhdukur dhe për të nxitur pajtim dhe paqe të qëndrueshme,
Duke pasur parasysh se kjo Deklaratë ndjek mirëkuptimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) për Personat e Zhdukur, që përfshin personat e zhdukur me forcë,
Duke kujtuar se të gjitha kategoritë e personave të zhdukur, do të trajtohen me prioritet të barabartë,
Duke njohur punën e rëndësishme të bërë përmes Grupit Punues për Personat e Zhdukur, i kryesuar nga KNKK,
Duke inkurajuar bashkëpunimin me aktorë të tjerë relevantë në fushën e personave të zhdukur, në veçanti me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP),
Duke e njohur çështjen e personave të zhdukur si çështje humanitare,
Duke vënë në dukje nevojën urgjente për përpjekje shtesë për të lehtësuar vuajtjet e familjeve,
Ne angazhohemi bashkërisht,
Për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve përkatëse në fushën e personave të zhdukur,
Për të bashkëpunuar ngushtë për identifikimin e vendeve të varrimit dhe për të pasuar më pas me gërmime,
Për të siguruar qasjen e plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë të gjenden dhe identifikohen personat e zhdukur brenda periudhës kohore 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000. Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, audio-incizimet dhe çdo dokument tjetër – përfshirë edhe ato që kanë statusin e klasifikuar – nën posedimin e institucioneve të të dyja palëve, që janë të rëndësishme për këtë kontekst,
Për t’i vënë në dispozicion të gjitha dokumentet vendore dhe ndërkombëtare me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji tjera, në zbulimin e varreve masive,
Për të mundësuar dhe inkurajuar angazhimin aktiv të familjeve të personave të zhdukur në procesin e identifikimit të fateve të tyre,
Për të siguruar në mënyrë adekuate të drejtat dhe për të adresuar nevojat e familjeve të personave të zhdukur,
Për të krijuar dhe punuar së bashku përmes një Komisioni të Përbashkët, të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të vëzhguar nga KNKK, me qëllim të mbështetjes së përpjekjeve për të zgjidhur fatin e personave që mbeten të zhdukur,
Për të monitoruar dhe mbështetur punën dhe progresin e bërë nga Grupi Punues për Personat e Zhdukur përmes Komisionit të Përbashkët.