Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Haki Abazi, ka deklaruar se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kishin tentuar që të nxisin një përplasje fizike me deputetin Salih Zyba.
Me anë të një postimi në Facebook, Abazi ka thënë se kjo u bë me qëllim të mbulimit të asaj që ai e quan “dështim” në Bruksel.
“Të dashur qytetarë, incidenti i radhës që ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës, kur shkova te ulësja në kuvend, me urdhër të Kurtit dhe pa paralajmërim, nga Çadra e Gadafit, kishin urdhëruar deputetin Besim Muzaqi që të ulet në vendin tim, duke e hequr kartelen time nga aparati, dhe afër tij kishin zhvendosur Sali Zybën. Kaq fuqi kanë, kaq dije kanë dhe me këto gjëra merren, kush ku ulet dhe me kë flet. Turp ‘Krejt dhe Drejt’!Si duket për të mbuluar dështimin në Bruksel të një rezultati negativ që ka orientuar procesin drejt ose kompromisit që e dështon rendin kushtetues të vendit ose e izolon Kosovën nga perëndimi, deshën sot në Kuvendin e Kosovës të orkestrojnë një skandal e përplasje fizike me Sali Zybën. Asnjë kuptim tjetër nuk kishte prezenca e përforcuar e Zybës”, ka deklaruar Abazi
Tutje, ky i fundit ka thënë se një mentalitet i tillë është ai i kreut të ekzekutivit kosovar, Albin Kurti. Këtë mentalitet, ai e cilësoi “dëshpërues”, duke theksuar se Kurti nuk paska qenë “ndryshimi”.
“Ky mentalitet politik i Kurtit është dëshpërues dhe veprim fëmijësh. Nuk ka rëndësi ku ulem, në cilën pjesë të parlamentit apo në cilin kapacitet do të flas, unë jam betuar për të thënë të vërtetën dhe për të mbrojtur interesin publik të vendit tim. Albini nuk na paska qenë ndryshimi, Albini është vazhdimi”, ka deklaruar ai.