Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar dëshmorin Luan Haradinaj, në 25-vjetorin e rënies në kufirin me Shqipërinë.
Osmani ka thënë se heronjtë si Luani i dhanë kuptim lirisë sonë dhe i japin kuptim paqes, duke u bërë frymëzim për brezat se si duhet atdheu, ka bërë të ditur Zyra e Presidencës.
“Luani dhe familja e tij u dëshmuan me angazhimin e tyre duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në luftën tonë për çlirim. Emri i tij personifikon guximin dhe trimin me kauzë, i cili nuk kthehet mbrapshtë, duke u bërë theror për lirinë e popullit të vet. Heronjtë si Luani i dhanë kuptim lirisë sonë dhe i japin kuptim paqes, duke u bërë frymëzim për brezat se si duhet atdheu. Qoftë i përjetshëm kujtimi për Luanin dhe të gjithë dëshmorët e UÇK-së”, thuhet në përkujtimin e presidentes Osmani për Luan Haradinaj.
Luan Haradinaj lindi më 17 nëntor 1973 në fshatin Gllogjan të Rekës, në Deçan. Pas kryerjes së shkollës së mesme, Haradinaj kishte regjistruar në Fakultetin e Edukatës Fizike në Tiranë, të cilin nuk kishte arritur ta përfundojë ngase iu bashkua luftës për çlirimin e Kosovës.
Haradinaj ishte emëruar Komandant i Logjistikës së UÇK-së, në moshën 20-vjeçare.