Policia e Kosovës, ka vazhduar me aksionin “Taksisti 2023”, kundër parave të falsifikuara që gjenden të tregun e Kosovës.
Pas arrestimit të dy personjave më 13 prill, sot Policia e Kosovës i ka arrestuar edhe dy persona të tjerë të përfshirë në këtë rast.
“Siç jeni informuar përmes komunikatës zyrtare për media të Policisë me datën 13 prill 2023, lidhur me operacionin e zhvilluar nga Policia e Kosovës kundër parave të falsifikuara të metalit ku ishin konfiskuar mbi dhjetë mijë euro (10,000.00), me nga dy (2) Euro të dyshuara fals dhe dëshmi të tjera; “Krimet ekonomike të Policisë së Kosovës shkëputin një linjë të furnizimit me para të metalta të falsifikuara duke pamundësuar përdorimin e tyre në vendin tonë, arrestohen dy persona të dyshuar, konfiskohen mijëra euro false të metalit”, sot Policia e Kosovës ka arrestuar edhe dy (2) persona të tjerë të dyshuar të përfshirë në këtë rast”, thuhet në njoftim.
Të dyshuarit sipas Policisë së Kosovës, janë ndalur për 48 orë, për procedura të mëtejme policore.
“Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përmes Njësisë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Ferizajt, ka vazhduar me punë aktive në lidhje me rastin e lartcekur (publikuar me datë 13 prill 2023,) ku me autorizime shtesë nga Prokurori i rastit janë zhvilluar hetime aktive mjaft profesionale nga hetuesit kompetent lidhur me rastin dhe është arrit të sigurohen prova apo dëshmi të reja edhe për dy (2) persona të tjerë të dyshuar të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar me personin e parë të dyshuar me iniciale A.L. ( i arrestuar me datë 13.04.2023) duke blerë dhe shpërndarë parat e falsifikuara në vende të ndryshme. Dy (2) personat tjerë të dyshuar në këtë rast me iniciale (L.L. dhe R. K. ), tani më të arrestuar, ekziston dyshimi i bazuar se me veprimet e tyre dyshohen se kanë kryer veprën penale “Falsifikim i parasë””, thuhet në njoftim
Mbi 70 mijë euro është vlera e parave të falsifikuara, të cilat janë hedhur në qarkullim në tregun kosovar vetëm brenda dy muajve të parë të vitit 2023, krahasuar me vitin 2022 që ishte rreth 22 mijë euro.
Në bazë të raporteve të fundit të marra nga Agjencia Kosovare për Forenzikë, në muajt janar dhe shkurt të vitit 2023, janë identifikuar një numër prej 1 mijë e 48 kartëmonedhash dhe 717 monedha të falsifikuara.
Kartëmonedha më e falsifikuar, sipas të dhënave të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë (AKF), të cilat i janë dërguar Portalit Dukagjini ka qenë ajo prej 100 eurosh dhe 50 euro, ndërkaq prej monedhave, ato që kanë dominuar më shumë kanë qenë 2 euro dhe 1 euro.