Serbia ka paralajmëruar se do të aktivizojë fushatën e saj lobuese për çnjohje të pavarësisë së Kosovës, nëse Kosova zyrtarisht paraqet kandidaturën e saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe Partneritetin për Paqe, i cili operon në kuadër të NATO-s, shkruajnë mediat e afërta me pushtetin në Serbi.
Në artikullin e së përditshmes Novosti është shkruar se ”Serbia tashmë ka në sirtar 14 shtete, të cilat janë të gatshme ta çnjohin pavarësinë e Kosovës, nëse kjo e fundit tenton të aplikojë në këto dy organizata ndërkombëtare”.
Madje, sipas medias propushtetit Novosti, ”paralajmërimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe Partneritetin për Paqe, në prani të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, ishte shkelje e rëndë e Marrëveshjes së Washingtonit”.
Përndryshe, marrëveshja e Uashingtonit, e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, nuk është përfillur asnjëherë nga shteti serb.
Ndërsa, brenda, të njëjtit, tekst, ish-diplomati serb, Zoran Milivojeviç, paralajmërimin se Kosova do të aplikojë në këto dy organizata ndërkombëtare, e sheh si një operacion të sinkronizuar me Perëndimin, në të cilin kancelari gjerman, Olaf Scholz është i mirëinformuar.
”Kjo është një përpjekje për të konfirmuar shtetësinë e Kosovës dhe për t’iu bashkuar organizatave ndërkombëtare të kontrolluara nga Perëndimi. Meqenëse politika e njohjes së Kosovës nuk po shkon mirë, ata duan të përfshihen në organizatat ndërkombëtare nga dera e pasme. Ne do të kundërshtojmë. Por, nëse kjo ndodh, të gjitha detyrimet dhe kufizimet tona pushojnë dhe duart tona priten”, ka thënë Milivojeviç.
Ndryshe, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, gjatë konferencës së përbashkët me Scholz, ishte pyetur për lajmërimet se Kosova do të aplikojë në Këshillin e Evropës.
”Ajo çfarë kancelari Scholz tha është e rëndësishme, që gjithçka që është nënshkruar në dialog mes Beogradit dhe Prishtinës, duhet të kthehet në veprim”, kishte thënë Vuçiq.
”Dhe, shpresoj që kjo të ketë të bëjë edhe me Marrëveshjen e Brukselit. Dhe, nëse dikush nuk dëshiron të respektojë Marrëveshjen e Uashington-it, atëherë duart tona janë të vendosura, veprojmë në pajtim me interesat kombëtare që kemi”, ka shtuar ndër të tjera Vuçiq.
Serbia asnjëherë s’u ka qëndruar premtimeve për ndalimin e fushatave lobuese për çnjohje të Kosovës. Edhe kur ishte arritur dakordimi për një memorandum njëvjeçar, se Kosova nuk do të aplikojë për anëtarësime të reja në organizata ndërkombëtare, dhe Serbia nuk do të bëjë fushatë kundër Kosovës, shteti serb kishte vazhduar me të vjetrën.
Gjithashtu, kërcënime të tilla të çnjohjes masive të shteteve për Kosovën, gjithmonë kanë rezultuar më shumë si propagandë kërcënuese, sesa fuqi reale e Serbisë për të ndikuar në kaq shumë shtete.
Paralajmërohet aplikimi i Kosovës në KE dhe Partneritet për Paqe