BE: Marrëveshjet e dialogut thonë se ekipi menaxhues duhet të jetë në funksion deri sa të miratohet statuti i Asociacionit

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano

Bashkimi Evropian është deklaruar në lidhje me lirimin nga detyra të anëtarëve të ekipit menaxhues pas prezantimit të djeshëm në Bruksel të draftit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një pronocim për KALLXO.com tha se marrëveshjet e dialogut thonë qartë se ekipi menaxhues duhet të jetë në funksion deri sa të miratohet statuti i Asociacionit.

“Sa i përket vendimit të raportuar të Kosovës për shpërbërjen e ekipit menaxhues, marrëveshjet e dialogut thonë qartë se ekipi menaxhues duhet të jetë në funksion deri sa të miratohet statuti i Asociacionit/Bashkësisë për Komunat me shumicë Serbe”- theksoi ai.

Stano u shpreh se vendimi për shpërndarjen e ekipit menaxhues “shkel letrën dhe frymën e marrëveshjeve të dialogut”, teksa shtoi se çdo vendim në lidhje me këtë grup duhet të miratohet në kuadrin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja, raporton Kallxo.com

“Kjo nuk është ende çështja. Drafti i parë i statutit u prezantua nga ekipi menaxhues më 2 maj në dialogun e nivelit të lartë, i cili tashmë nis procesin e negociatave. Prandaj, vendimi për shpërndarjen e ekipit menaxhues shkel letrën dhe frymën e marrëveshjeve të dialogut. Çdo vendim në lidhje me ekipin menaxhues duhet të miratohet në kuadrin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”- deklaroi Stano.

Më tej, zëdhënësi i BE-së tha se lehtësuesit e dialogut do të ftojnë kryenegociatorët për të filluar negociatat për statutin dhe se ekipi menaxhues do të ftohet të marrë pjesë në proces nëse është e nevojshme.

“Lehtësuesi i BE-së do të ftojë kryenegociatorët dhe ekspertët e tyre në Bruksel për të filluar negociatat për statutin. Ne presim që të dyja palët të angazhohen në proces në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim, dhe të përfundojnë negociatat me shpejtësi. Borrell u tha palëve më 2 maj se ekipi menaxhues do të ftohet të marrë pjesë në proces nëse është e nevojshme, i cili do të përcaktohet nga lehtësuesi i BE-së”- përfundoi Stano.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se i ka liruar nga detyra anëtarët e ekipit menaxhues pas prezantimit të djeshëm të draftit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Pas prezantimit të djeshëm në Bruksel të draft statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas përgjegjësive që i ishin dhënë Ekipit Menaxhues në marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, ky ekip tash edhe vet është pa status”- ka shkruar ai në Facebook.

Ekipi menaxhues, përbëhej nga të Danijela Vujiçiq, Jelena Boloviq, Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq.

Dje u mbajt takimi i radhës i nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Në këtë takim u prezantua drafti i Asociacionit, për të cilin kryeministri Kurti tha se është fundamentalisht i papajtueshëm me Kushtetutën e ligjshmërinë.

“Çfarë dëgjuam e lexuam, është fundamentalisht i papajtueshëm me Kushtetutën, ligjshmërinë, demokracinë, vlerat evropiane, të drejtat e njeriut, të pakicave sipas standardeve evropiane dhe përkundër kësaj do jemi të interesuar të gjejmë zgjidhje andaj me këtë rast propozova një draft-vizion si kryeministër i Kosovës përkitazi me nenin 7 të marrëveshjes bazike duke pasur në konsideratë edhe nenin 10”- ka deklaruar Kurti.

Nikoqiri i këtij takimi, Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se është bërë hap i rëndësishëm simbolik për themelimin e Asociacionit.

“Kryeminsitri Kurti ndau me ne këndvështrimemt e tij për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit serb në Kosovë dhe siç pritej këndvështrimet e palëve janë shumë të largëta mes vete sa i përket natyrës së këtij Asociacioni, nuk është se kam pritur diçka tjetër, isha i bindur që palët do të kenë këndvështrime të ndryshme sa i përket Asociacionit”- ka thënë Borrell.

Ndërsa, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Kosova nuk do ta përmbushë obligimin e saj të dhjetë vjetëve më parë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe./kallxo.com

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika