Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), të enjten e katër majit, ka ngritur në Gjykatën Themelore në Prishtinë aktakuzë në mungesë kundër të pandehurit me inicialet Ç.A.
Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
“Prokuroria Speciale ka njoftuar se i akuzuar Ç.A. në periudhën kohore janar – maj 1999, ‘duke bashkëvepruar me një grup njerëzish kriminalë (tani për tani të pa identifikuar), të organizuar, të veshur me uniforma policore, paramilitare, ushtarake, ka kryer veprën penale ‘Krimi i luftës kundër popullsisë civile’’’.
Kjo e ndëshkuar me nenin 142 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “RSFJ’’), si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, “aktualisht i ndëshkueshëm sipas veprës penale Krime lufte në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët për konventat e Gjenevës dhe nenin 4 të Protokolit 2 të datës 08.06.1977, aktualisht e ndëshkueshme me neni 146 dhe 147 të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës ( tutje ‘’KPRK’’)”.
Gjithashtu, Prokuroria Speciale ka propozuar që të mbahet gjykimi në mungesë, pasi janë shterur të gjitha përpjekjet për ta gjetur të akuzuarin.