Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, e ka akuzuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti, se e ka instrumentalizuar çështjen e të pagjeturve me miratimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, në Bruksel, në takimin e nivelit të lartë.
Deputetja e PDK-së ka thënë se do të donte që kryeministri Kurti të ishte i pranishëm në seancën e Kuvendit që t’u kërkonte falje familjarëve të të pagjeturve.
“Besoj të gjithë që vini në seancë, kaloni në korridorin i cili sjell rrëfime të shumta për të pagjeturit. E di që shumë nga ju jeni ndjerë të turbulluar, por uroj që i keni lexuar fragmentet e shkurtra në mure për ndjenjën e familjarëve që ende janë në pritje. Më 2 maj në Bruksel, rrëfimi i tyre është rrokullisur, dhimbja e tyre është përmbysur, barazuar, baraspeshuar”.
“Duke lënë në ndërgjegjen e kryeministrit, i cili ka ushtruar dhunë, ka instrumentalizuar çështjen e të pagjeturve kur ishte në opozitë dhe ka premtuar se do të ketë kërkim falje herën e parë kur ulet në tavolinë me Vuçiqin, dhe ka marrë pushtet me këtë premtim, sot do të doja kryeministri të ishte këtu dhe t’u kërkonte falje familjarëve të të pagjeturve”.
Ajo ka thënë se kryeministri i Kosovës ka shpikur një term të ri, “Forcibly Disappeared”, i cili sipas Hoxhës, nuk ekziston në konventat ndërkombëtare të OKB-së, Konventën për mbrojtjen e personave të zhdukur me dhunë e që nuk njihet as si kategori juridike.
“Që i bie që asnjë obligim juridik Serbia nuk e ka në kuptimin e reparacionit dhe çështjeve të tjera që lidhen me këtë kategori”, tha ajo.
Sot kam zgjedhur të jem zëri i tyre dhe uroj këto minuta të na mjaftojnë për të dëgjuar diçka për dhimbjen dhe pritjen mbi 20-vjeçare të familjarëve.
Hoxha lëshoi këngën e kënduar nga vetë ajo, “Për ata që (s’)janë”, e cila u kushtohet personave të zhdukur nga lufta e fundit.