Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, teksa i referohej fjalës së deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza hoxha, e cila gjatë seancës së Kuvendit foli për deklaratën e nënshkruar të martën në Bruksel, ka thënë se nënshkrimi i kësaj deklarate e bën Serbinë përgjegjëse për krimin e zhdukjes me forcë të qytetarëve të Kosovës.
Haxhiu e ka quajtur të papranueshme që në foltoren e Kuvendit, një deputet, në këtë rast deputetja Hoxha, thotë se Serbinë nuk e obligon ky dokument.
“Së pari, për herë të parë çështja e personave të zhdukur po trajtohet me prioritet dhe seriozisht nga Qeveria e Kosovës. Për herë të parë përmes një dokumenti zyrtar, Serbia pranon krimin e bërë dhe obligohet që të japë informacione për varrezat masive ku ende i mban qytetarët tanë, por po ashtu obligohet që të mos pengojë gërmimet siç ka ndodhur në vazhdimësi. Me atë deklaratë, Serbia pranon krimet shtetërore mbi popullin e Kosovës. Kjo është e papranueshme, sepse kjo është ajo që dëshiron Serbia të dëgjojë”, tha Haxhiu.
Ajo shtoi se “është e papranueshme po ashtu që në këtë foltore të mos njihet kontributi i Qeverisë për adresimin e krimeve të luftës, sepse siç jeni në dijeni, ka pasur përpjekje nga Qeveritë e kaluara kur ato janë udhëhequr nga PDK-ja që të amnistohen krimet që Serbia i ka bërë në Kosovë”.
Më pas, Haxhiu lëshoi një audioincizim, një deklaratë që e ka bërë Hajredin Kuqi, i cili sipas ministres, fliste për amnistimin e krimeve të luftës.
“Juridikisht krimet e luftës nuk amnistohen, nuk parashkruhen, por politikisht ka pasur përpjekje serioze për t’i amnistuar krimet e luftës, prandaj Serbia është shfajësuar në kohën kur ju keni qeverisur. Ndërsa, për herë të parë Qeveria e Kosovës i trajton seriozisht”, shtoi ajo.
Ndryshe, deputetja Hoxha e ka akuzuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti, se e ka instrumentalizuar çështjen e të pagjeturve me miratimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur të martën në Bruksel, në takimin e nivelit të lartë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Deputetja e PDK-së ka thënë se do të donte që kryeministri Kurti të ishte i pranishëm në seancën e Kuvendit që t’u kërkonte falje familjarëve të të pagjeturve.
“Besoj të gjithë që vini në seancë, kaloni në korridorin i cili sjell rrëfime të shumta për të pagjeturit. E di që shumë nga ju jeni ndjerë të turbulluar por uroj që i keni lexuar fragmentet e shkurtra në mure për ndjenjën e familjarëve që ende janë në pritje. Më 2 maj, në Bruksel rrëfimi i tyre është rrokullisur, dhimbja e tyre është përmbysur, barazuar, baraspeshuar”.
“Duke lënë në ndërgjegjen e kryeministrit i cili ka ushtruar dhunë, ka instrumentalizuar çështjen e të pagjeturve kur ishte në opozitë dhe ka premtuar se do të ketë kërkim falje herën e parë kur ulet në tavolinë me Vuçiqin, dhe ka marrë pushtet me këtë premtim, sot do të doja kryeministri të ishte këtu dhe t’u kërkonte falje familjarëve të të pagjeturve”.
Ajo ka thënë se kryeministri i Kosovës ka shpikur një term të ri, “Forcibly Disappeared”, i cili, sipas Hoxhës, nuk ekziston në konventat ndërkombëtare të OKB-së, Konventën për mbrojtjen e personave të zhdukur me dhunë, e që nuk njihet as si kategori juridike.