Në shenjë reagimi ndaj idesë për heqjen e emrit të Hasan Prishtinës nga UP-ja, organizatat studentore, Unioni Demokratik Studentor, Unioni i Studentëve Proeuropian, Opinioni i Pavarur Studentor dhe Paqja Studentore kanë organizuar një aksion simbolik.
Ata i kanë dërguar rektoratit të UP-së portretin e heroit kombëtar, Hasan Prishtina dhe disa libra që trajtojnë figurën e këtij heroi.
Arbër Gecaj nga Parlamenti Studentor ka thënë ky aksion vjen në mënyrë që UP-ja ta kuptojë më qartë se kush ishte Hasan Prishtina e sa nder i bën emri i tij universitetit.
“Universitetit të Prishtinës i bën nder emri i atdhetarit e intelektualit Hasan Prishtina, ky emër është pjesë e identitetit të Universitetit të Prishtinës dhe historisë sonë. Problemet e pengesat që kinse ky emër i ka shkaktuar UP-së, janë plotësisht të papranueshme, jobindëse dhe tendencioze. Heqja e emrit të Hasan Prishtinës është veprim joserioz dhe fyes për historinë e popullit tonë dhe do të shkaktonte probleme të reja për vetë UP-në”, ka thënë Gecaj.
Ai ka thënë tutje se Universiteti i Prishtinës ka probleme të tjera më serioze dhe nuk duhet të merret me çështjen e emrit.
“Fatkeqësisht ka probleme serioze në fusha të ndryshme, andaj kërkojmë që të punohet nga të gjitha instancat e UP-së në eleminimin e këtyre problemeve e fenomeneve negative e të mos merremi me çështjen e emrit”, ka vijuar Gecaj.
Ndryshe, edhe të martën e 2 majit, Fondacioni “Hasan Prishtina” dhe Shoqata Atdhetare Kulturore “Luma” nga Kukësi kanë mbajtur aksion para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës në shenjë reagimi ndaj idesë për heqjen e emrit të Hasan Prishtinës nga UP-ja.