Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, ka kërkuar që Deklarata për të Zhdukurit, e miratuar më 2 maj në Bruksel nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, si pjesë e një dialogu në nivel të lartë politik, të zbatohet sa më shpejt.
Pas vizitës në Qendrën Burimore të Personave të Zhdukur të enjten, Abbott ka thënë se familjet e të zhdukurve dhe komuniteti do të besojnë në këtë angazhim vetëm nëse palët fillojnë ta zbatojnë atë.
“Vitet po kalojnë dhe pikëllimi i familjarëve të të zhdukurve nuk shuhet. Ne duhet të diskutojmë së bashku, në nivel njerëzor, për të mësuar për të dashurit tanë. Këto ishin mesazhet që mora nga takimi im me të rinjtë në Qendrën Burimore të Personave të Zhdukur. Mbretëria e Bashkuar mirëpret angazhimin e Presidentit Vuçiq dhe Kryeministrit Kurti për të miratuar Deklaratën e Personave të Zhdukur. Familjet dhe shoqëria e gjerë në Kosovë dhe Serbi do t’i besojnë këtij angazhimi vetëm nëse qeveritë e zbatojnë atë. Ndaj bëj thirrje për implikimin e shpejtë të saj”, ka shkruar ai në Twitter.
Mbi 1.600 persona konsiderohen ende të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.
Liderët e Kosovës dhe Serbisë janë zotuar të lejojnë qasjen në të gjitha dokumentet në posedim të tyre, përfshirë ato të shënuara si “konfidenciale”.
Deklarata përmban termin “i zhdukur me forcë” kur i referohet të zhdukurve. Kosova ka insistuar në termin “të zhdukur me dhunë”, por Serbia ka kundërshtuar, pasi ka theksuar se kjo do të krijonte pasoja juridike për këtë vend.
Në Deklaratë, ndër të tjera, thuhet se i jepet qasja e plotë në të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, regjistrimet audio dhe të gjitha dokumentet e tjera, përfshirë ato që kanë statusin “konfidenciale” dhe që janë në posedim të institucioneve të Kosovës dhe Serbisë.
Deklarata e plotë për personat e zhdukur:
Duke theksuar rëndësinë e zgjidhjes së fatit të personave që vazhdojnë të mbeten të zhdukur dhe për të nxitur pajtim dhe paqe të qëndrueshme,
Duke pasur parasysh se kjo Deklaratë ndjek mirëkuptimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) për Personat e Zhdukur, që përfshin personat e zhdukur me forcë,
Duke kujtuar se të gjitha kategoritë e personave të zhdukur, do të trajtohen me prioritet të barabartë,
Duke njohur punën e rëndësishme të bërë përmes Grupit Punues për Personat e Zhdukur, i kryesuar nga KNKK,
Duke inkurajuar bashkëpunimin me aktorë të tjerë relevantë në fushën e personave të zhdukur, në veçanti me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP),
Duke e njohur çështjen e personave të zhdukur si çështje humanitare,
Duke vënë në dukje nevojën urgjente për përpjekje shtesë për të lehtësuar vuajtjet e familjeve,
Ne angazhohemi bashkërisht,
Për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve përkatëse në fushën e personave të zhdukur,
Për të bashkëpunuar ngushtë për identifikimin e vendeve të varrimit dhe për të pasuar më pas me gërmime,
Për të siguruar qasjen e plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë të gjenden dhe identifikohen personat e zhdukur brenda periudhës kohore 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000. Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, audio-incizimet dhe çdo dokument tjetër – përfshirë edhe ato që kanë statusin e klasifikuar – nën posedimin e institucioneve të të dyja palëve, që janë të rëndësishme për këtë kontekst,
Për t’i vënë në dispozicion të gjitha dokumentet vendore dhe ndërkombëtare me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji tjera, në zbulimin e varreve masive,
Për të mundësuar dhe inkurajuar angazhimin aktiv të familjeve të personave të zhdukur në procesin e identifikimit të fateve të tyre,
Për të siguruar në mënyrë adekuate të drejtat dhe për të adresuar nevojat e familjeve të personave të zhdukur,
Për të krijuar dhe punuar së bashku përmes një Komisioni të Përbashkët, të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të vëzhguar nga KNKK, me qëllim të mbështetjes së përpjekjeve për të zgjidhur fatin e personave që mbeten të zhdukur,
Për të monitoruar dhe mbështetur punën dhe progresin e bërë nga Grupi Punues për Personat e Zhdukur përmes Komisionit të Përbashkët.