Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar 24-vjetorin e Betejës së Çabratit.
Në këtë betejë, 26 luftëtarë të Brigadës 137 “Gjakova”, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e afro 100 banorë civilë u vranë në mënyrë mizore nga ushtria serbe e mbi 300 u rrëmbyen me dhunë.
“26 luftëtarë të Brigadës 137 “Gjakova”, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, 24-vjet më parë ranë heroikisht në Betejën e Çabratit, në përpjekjen e tyre për t`u dalë në ndihmë bashkëqytetarëve të tyre, të cilët tri ditë rresht iu nënshtruan veprimeve kriminale të regjimit gjenocidal të Serbisë”, shkruan Osmani, njofton Presidenca.
“Afro 100 banorë civilë u vranë në mënyrë mizore nga makineria gjenocidale serbe, mbi 300 u rrëmbyen me dhunë, teksa lufta për mbrojtjen e pragut të shtëpisë kishte marrë hov gjithandej, afro një muaj përpara se Kosova të bëhej e lirë”.
Osmani ka shtuar se dëshmorët e UÇK-së janë “vula e përjetësisë së shtetit tonë” dhe se do t`i kujtojmë përherë.
“I paharruar qoftë kujtimi për ta dhe martirët që u bën guri themeltar i Republikës!”, thekson tutje presidentja Osmani.