Partitë opozitare në Serbi kanë paralajmëruar protesta në lidhje me dy rastet e ndara, ku mbetën të vdekur 16 persona, mes tyre 8 fëmijë.
Protesta e opozitës, sipas mediumeve serbe, pritet të jetë paqësore, teksa kanë mohuar pretendimet e pushtetit se protesta ka karakter politik.
“Kjo është një protestë paqësore kundër dhunës që sundon dhe shkatërron vendin tonë, pa asnjë fjalim politik. Ftoj të gjithë ata që vijnë të sillen në mënyrë të tillë dhe të tregojnë respekt për viktimat me heshtje. Ne vazhdimisht bëjmë thirrje për uljen e tensioneve dhe agresionit në shoqëri. Mediat që propagandojnë dhunën dhe ato që kanë për detyrë ta parandalojnë atë duhet të mbajnë përgjegjësi”, tha Marinika Tepiq nga SSP, raporton N1.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, i ka akuzuar organizatorët e protestës për tentim të politizimit të tragjedive.
Sipas saj, vdekjet e njerëzve po përdoren për ta sulmuar Qeverinë.
“Të përdorësh atë ditë për ta politizuar dhe të thuash që fajin e ka Aleksandar Vuçiqi dhe SNS-ja është skandaloze, është e pakuptueshme nga ana njerëzore… dhe është diçka që nuk kontribuon në uljen e polarizimit dhe dhunës në vendin tonë” deklaroi kryeministrja e Serbisë.
Sipas opozitës në Serbie, mediat që propagandojnë dhunën dhe ata që janë përgjegjës për parandalimin e saj duhet të mbajnë përgjegjësi.
Ndërsa, Qeveria e sheh politizimin e tragjedive si manipulim politik dhe opozita përgjigjet se kjo është një protestë paqësore kundër dhunës që po shkatërron vendin.