Ka më shumë se një vit që ish-drejtori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Driton Gashi ulet në bankat e të akuzuarve në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Gashi bashkë me Valon Krasniqin e Rrahman Sylejmanin, akuzohen për depërtimin e kundërligjshëm të gjashtë shtetasve turq.
E shkak për të nisur ky gjykim ishte bërë Kuvendi i Kosovës.
Në Kuvend u krijua ky komision hetimor parlamentar, para së cilit dëshmoi edhe ish-Presidenti Hashim Thaçi.
Rezultatet e komisionit u morën më pas për bazë nga Prokuroria që zhvilluan hetime e më pas ngritën edhe aktakuzë ndaj Gashit, Krasniqit e Sylejmanit.
Mirëpo, jo të gjitha komisionet hetimore parlamentare kishin një sukses të tillë.
Puna e dhjetëra prej tyre ka përfunduar pa ndonjë rezultat.
Përgjatë viteve Kuvendi hetoi edhe Privatizimin e PTK-së, privatizimet në përgjithësi, çështjen e Pandemisë, e gjithashtu edhe trazirat e marsit të vitit 2004.
Ndërrimi i shpeshtë i qeverive vlerësohet të jetë një prej arsyeve kryesore për dështimin e këtyre komisioneve.
Avokati Skënder Musa, thotë se mbi të gjitha këto komisione kanë qëllime politike.
“Roli i tyre nuk është për me i ndihmua Prokurorisë, roli i tyre është për me e kontrollua qeverinë. Është rol politik, qëllimi i partive politike është që të kenë kontroll sa më shumë mbi ekzekutivin dhe në rast se gjejnë shkelje t’i shfrytëzojnë për poena politik”, ka thënë avokati Skënder Musa.
Sipas Musës, Prokurorisë këto komisione nuk i bëjnë pengesa për hetime.
“Sa i përket Prokurorisë në mënyrë absolute nuk qon peshë se a hetojnë apo jo komisionet parlamentare. Ata nëse kanë indicie, kanë informacione se është kryer vepra penale, është bërë keqpërdorim i buxhetit të Republikës së Kosovës, hetimet duhet t’i fillojnë sipas detyrës zyrtare”, është shprehur Musa.
Kuvendi i Kosovës të enjten ka votuar për formimin e dy komisioneve të reja parlamentare.
Menaxhimi i krizës së energjisë nga Qeveria, si dhe hetimi i çështjes së energjisë prej vitit 2006.