Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar në Londër me të dërguarin e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach.
E para e vendit, përmes një postimi në Twitter, ka thënë se me emisarin britanik kanë diskutuar për zhvillimet e fundit, duke përfshirë hapat e rëndësishëm në dialogun Kosovë – Serbi, si dhe integrimin euroatlantik të Kosovës.
“Diskutuam zhvillimet e fundit, duke përfshirë hapat e rëndësishëm në dialog, integrimin euroatlantik të Kosovës, si dhe domosdoshmërinë për të forcuar më tej lidhjen dhe bashkëpunimin tonë me Britaninë e Madhe”, ka shkruar Osmani.
Ndryshe, më 2 maj në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kanë miratuar Deklaratën për të Zhdukurit, përmes së cilës synohet zgjidhja e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ndërsa, në këtë takim nuk ka pasur pajtueshmëri për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.