Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka ripërsëritur qëndrimin e Qeverisë së Kosovës se marrëveshja e Ohrit e ka në vete njohjen de fakto të shtetit të Kosovës nga Serbia.
Këtë deklaratë Konjufca e bëri në një konferencë të përbashkët për media me kryetarin i Kuvendit të Austrisë, Wolfgang Sobotka.
Sipas tij, shteti serb assesi nuk po e pranon këtë gjë, teksa tha se qëllimshëm po e keqlexon marrëveshjen.
Konjufca tha se Serbia po tenton me ngulm ta formojë një “Republika Srpska”, brenda territorit të Kosovës, e që sipas tij, kjo është e papranueshme.
“Jam i bindur, kemi argumente të fuqishme dhe është e shkruar e zeza në të bardhë, që kjo marrëveshja i ka dy shtylla. Shtylla e parë e kësaj marrëveshjeje për këdo që e ka lexuar është njohja de fakto e Serbisë për Kosovën. Kjo është shtylla substanciale e marrëveshjes, dhe të sillesh si Serbia ta hedhësh poshtë këtë shtyllë substanciale dhe të thuash që nuk vlen kjo pjesë dhe ta kërkojnë me ngulm një Republikë Srbska brenda Kosovës, kjo është mënyrë fort e gabueshme dhe e papranueshme e leximit të marrëveshjes, të cilën e ka pranuar palët”, ka thënë ai.
Konjufca tha se këto shqetësime ia ka shprehur edhe homologut të tij nga Austria, Sobotka.
“Ia ngrita shqetësimet kryetarit Sobotka, për sjelljen e papranueshme të shtetit serb, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Kosova me vullnet të mirë e pranoi marrëveshjen e Ohrit, por ne jemi dëshmitarë se si Serbia, e lexon krejtësisht në mënyrë të kundërt marrëveshjen që e ka pranuar prej asaj se qysh e lexon Kosova”, ka thënë ai.
Konjufca e përmendi edhe bojkotin e zgjedhjeve nga Lista Serbe, vendim i cili sipas Konjufcës, erdhi me urdhër të shtetit serb.
“Serbia duke i bërë thirrje Listës Serbe të mos regjistrohet në zgjedhjet lokale dhe të mos marrë pjesë në institucionet e Kosovës dhe në proceset demokratike, besoj që nuk i kontribuon fare stabilitetit në rajon, por shkakton nxitje dhe destabilizim të situatës”, tha ai.