Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), nën praninë e ministrit të Bujqësisë Faton Peci, kanë zhvilluar aksion për ndalimin e therjeve të kafshëve dhe të shpezëve në hapësira publike, specifikisht në hapësirat e ish-tregut të makinave në Kodrën e Trimave.
Shitësit u ankuan se Komuna e Prishtinës nuk ka caktuar ose ndërtuar ndonjë lokacion ku do të mund të bëhej therja e kafshëve dhe shpezëve sipas rregullave dhe në mënyrë legale.
Pas inspektimit, 3 kamionë u larguan nga vendi ku po shisnin pula.
“Ne po e presim janarin, si të lëshohen vizat nuk kemi çka me qëndru në Kosovë. Ne mundohemi me mbijetu shteti nuk na siguron kushte”, kjo ishte njëra nga deklaratat e njërit shitës.
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, tha se ky aksion ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit publik.
“Ky aksion sot në hapësirat e ish-tregut të makinave në Kodrën e Trimave, sikurse ai i para dy ditëve në Zonën Industriale Prishtinë – Fushë Kosovë, kanë për qëllim mbi të gjitha mbrojtjen e shëndetit publik”, ka thënë ai.