Ministrit i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Grlic Radman, pas takimit me Gërvallën është pyetur se si e komenton deklaratën e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili kishte thënë se Kroacia mund të merret si model për formimin e Asociacionit.
Ministri kroat tha se i vjen mirë që Kroacia merret si model i mirë për këtë çështje, teksa tha se në Bashkimin Evropian ka edhe modele të tjera që mund t’i hyjnë në punë Kosovës.
Ai u shpreh se në Kroaci modeli në fjalë ka rezultuar i suksesshëm, teksa shtoi se Kroacia e mbështet një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë, me të cilën të dyja palët janë të kënaqura.
“Ka shumë modele, të cilat ekzistojnë në botë dhe mund të shfrytëzohen, ndoshta nuk janë të suksesshme, sa mund të zbatohen në sistemet e tjera varet edhe nga shtetet, mirëpo sa i përket mënyrës së mëtejme të integrimeve të komunitetit serb, gjithashtu dhe rendit kushtetues ia lëmë Kosovës, sepse është çështje e brendshme e Kosovës. Mbështesim çdo rezultat, çdo marrëveshje që është rezultat i dakordimit. Kroacia mbështet marrëveshje kur të dyja palët janë të kënaqura”, ka thënë ai.
Tutje, ministri kroat tha se Kroacia është shembull i respektimit të pakicave në Bashkimin Evropian.