Kurti përkujton Konushevcin e Malajn: Nuk kursyen asgjë, dhanë jetën që populli shqiptar të jetojë i lirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas homazheve te varret e heroit Ilir Konushevci dhe dr. Hazir Malaj, në 25-vjetorin e rënies së tyre

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas homazheve te varret e heroit Ilir Konushevci dhe dr. Hazir Malaj, në 25-vjetorin e rënies së tyre, ka thënë se dëshmorët e kanë kryer punën më të madhe për Kosovën, e si të tillë duhet të jenë udhërrëfyes për hapat e mëtutjeshëm.

Duke kujtuar veprën e tyre, Kurti shtoi se janë pikërisht dëshmorët që i dëshmojnë krimet serbe në Kosovë, por edhe vullnetin e popullit shqiptar.

“Sot më 9 maj, kur u bënë 25 vjet të rënies së Ilir Konushefcit dhe Dr. Hazir Malaj, erdhëm këtu bashkë me kolegë, ministra, deputetë, me zëvendëskryeministren Rexhepi dhe me dy familjet, Konushefci e Malaj, që të bëjmë nderime para këtyre dy dëshmorëve të kombit, të cilët nuk kursyen asgjë, të cilët dhanë jetën që populli shqiptar të jetojë i lirë në tokën e vet”.

Ai vlerëson se pjesën kryesore dhe më të madhe të ecjes politike e shoqërore në vend e kanë kryer dëshmorët e kombit.

“Neve na ka mbetur një pjesë më e vogël, por e rëndësishme e punës, e cila bëhet mirë e mbarë duke i pasur si udhërrëfyes dëshmorët dhe martirët, të cilët janë edhe dëshmi e krimeve të Serbisë në Kosovë, por njëkohësisht edhe e vullnetit të paepur të popullit tonë për liri”.

“Iliri dhe Dr. Haziri na bënë bashkë të gjithë neve. Janë dëshmorët e kombit të cilëve asnjëherë nuk mund t’ua lajmë borxhin. Lavdi”, është shprehur Kurti.

Ilir Konushevci dhe mjeku Hazir Mala shënojnë 25-vjetorin e rënies së tyre nga forcat serbe.

Më 13 maj 1992, Ilir Konushevci bashkë me shokët Rexhep Uka, Selim Haziri, Naim Hyseni, Lulëzim Podvorica, Naim Haziri, Bejtush Llugaliu dhe Shaip Haziri, themelojnë grupin ilegal apolitik me emrin “Shqiponjat“, i cili do të organizohej për t’iu kundërvënë secilit që drejtpërsëdrejti rrezikonte pasurinë dhe gjërat e njerëzve në Kosovë, por duke mos lënë anash as strategjinë luftarake.

Ky grup, në vitin 1993, bie në kontakt me LKÇK-në. Njësiti “Shqiponjat“ pranon që t’i ndihmojë ata në shpërndarjen e organit të LKÇK-së “Çlirimi”.

Në qershor të vitit 1996 Konushevci me këtë njësit bie në kontakt përmes Rrustem Mustafës – Remit, me komandant Zahir Pajazitin dhe nga ajo kohë ishte vazhdimisht krah për krah me të.

Pas vrasjes se Zahirit, Hakifit dhe Edmondit më 31 janar 1997, në Pestovë afër Vushtrrisë, me sugjerimin e shokëve Selim Haziri, Naim Hyseni dhe Naim Haziri, kalojnë në ilegalitet në një banesë në Prishtinë për disa ditë dhe nga këtu vendosin që të kalojnë në Shqipëri.

Nga ajo kohë, Iliri ndryshoi formën e veprimit të tij, por duke mos u larguar asnjëherë nga betimi i dhënë për të luftuar deri në fund për çlirimin e Kosovës.

Atje filloi të bashkëpunojë me bashkëluftëtarët e Zahirit, si me Adrian Krasniqin, me të cilin ishte i pandarë deri në vdekjen e Adrianit, Qerim Kelmendin, Mujë Krasniqin, Ismet Abdullahun, Murat Ajetin etj.

Pasi formuan rrjetin e bashkëpunëtorëve, Iliri dhe Ardiani disa herë erdhën në Kosovë, me qëllim të riorganizimit të radhëve të UÇK-së, si dhe koordinimit të punëve me rrethet e tjera.

Pas vdekjes së Zahirit, Iliri e përfaqësonte ZOLL-in në Shtabin Qendror.

Më 16 tetor 1997 vritet dhe Ardiani, gjatë një sulmi të Stacionit të policisë serbe në Kliqinë të Pejës.

Vrasja e tij ishte një humbje e madhe për shokët, për UÇK-në e veçanërisht për Ilirin.

Më pas, Iliri ngarkohet me rolin kryesor për sjelljen e armatimit në Kosovë. Gjatë gjithë kohës sa punoi në këtë detyrë, ai hyri në Kosovë mbi 30 herë, duke sjellë armatim të llojllojshëm.

Kur pritej që përmes Ilirit në Kosovë të futeshin oficerë të lartë për në UÇK, kur në Kosovë zhvilloheshin ofensiva të ashpra dhe të cilat paralajmëronin një luftë frontale, atëherë kur pritej dhe kërkohej më së tepërmi sjellje e armatimit, derisa ishte duke kryer si çdoherë detyrën e tij me përkushtimin më të madh, u vra në mëngjesin e hershëm të datës 9 maj 1998.

Ai u vra në një pritë të organizuar nga dora e zgjatur e pushtuesit serb, së bashku me mjekun Hazir Mala, derisa udhëtonin për në Bajram Curr, me një kamion të ngarkuar me armatim.

Vrasja e tij shkaktoi një humbje të madhe për tërë vendin e në veçanti për UÇK-në dhe shtabin e saj qendror.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika