Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e Ditës së Evropës ka thënë se Kosova është mishërim i vlerave evropiane.
“Dita e Evropës është mundësi për të reflektuar mbi vlerat që na bashkojnë si popuj evropianë – liria, demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit. Këto parime themelore kanë qenë shtylla të rëndësishme të Bashkimit Evropian që nga formësimi i tij, e janë pikërisht këto vlera për të cilat Kosova dhe populli i saj ka luftuar historikisht dhe vazhdon t’i mbrojë edhe sot”, ka thënë Osmani.
Në këtë kohë përcaktuese, e para e vendit ka thënë se Dita e Evropës shërben si një kujtesë e fuqishme për rëndësinë e solidaritetit, unitetit dhe mbrojtjes së njëri-tjetrit.
“Le ta shfrytëzojmë këtë moment për të reflektuar mbi të gjitha sukseset që kemi arritur deri tani dhe për ta rikonfirmuar vullnetin tonë të pashembullt për suksese të reja në rrugën drejt integrimit evropian”, ka thënë tutje.
Ndër të tjera, Osmani ka thënë se Kosova dhe populli i saj kanë qenë, janë dhe do të mbeten gjithnjë mishërim i këtyre vlerave.
“E gjersa afrohemi më shumë drejt Bashkimit Evropian, angazhimi ynë mbetet i palëkundur, sepse vendosmëria jonë për demokraci, paqe, të drejta të njeriut e sundim të ligjit, mbetet po ashtu e palëkundur”.
Ndryshe, sot shënohet Dita e Evropës që nënkupton një festë zyrtare që shënohet çdo vit më 9 maj për të festuar themelimin e Bashkimit Evropian.
Në këtë ditë, të gjithë shtetet anëtare të BE-së festojnë me ngjarje të ndryshme, që shërbejnë si një rast për t’i nderuar arritjet e BE-së dhe për të nxitur bashkëpunimin evropian.