Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova këtë vit është më afër Bashkimit Evropian dhe ka më shumë arsye për të shënuar Ditën e Evropës.
Ai ka listuar disa nga “të arriturat” e Qeverisë, të cilat sipas tij e shpien Kosovën më afër Evropës.
“Në dhjetorin e vitit që e lamë pas dorëzuam aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Muajin e kaluar u nënshkrua vendimi për liberalizimin e vizave, ndërkaq në fund të prillit kaluam me sukses fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, ka thënë Kurti.
Shkrimin e tij në Facebook, Kurti e nisi me fjalët e Robert Schuman, ministrit për Evropë dhe Çështje të Jashtme të Francës në deklaratën e tij të bërë më 9 maj 1950.
“Evropa e bashkuar nuk u arrit dhe kishim luftë. Evropa nuk do të bëhet menjëherë, ose sipas një plani të vetëm. Ajo do të ndërtohet përmes arritjeve konkrete të cilat së pari krijojnë një solidaritet de facto”, kishte thënë Schuman.
Sipas kryeministrit, i themeluar mbi vlera e vizion, Bashkimi Evropian është projekti më i madh politik dhe procesi më i rëndësishëm historik i paqes dhe prosperitetit që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Është ideja e bashkëpunimit përmes institucioneve të përbashkëta që krijoi tregun unik dhe e bëri BE-në ekonominë më të madhe të botës”.