Kujtim Boletini, qytetari që largoi flamurin serb në Zveçan dhe u arrestua nga policia, në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini, ka thënë se fqinjët serbë po i provokojnë me vendosjen e flamurave serbë në fshatin Boletin.
“Kemi marrë një iniciativë, jemi shkuar i kemi hequr ata flamuj, tani ndodhi çfarë ndodhi,…policinë dhe më arrestuan”, ka thënë Boletini për arrestimin e tij në ditën e djeshme në orën 14:00.
“Afër 100 policë kanë marrë pjesë, m’i kanë rrethuar shtëpitë, fëmijët pak janë frikësuar”.
Boletini ka treguar se që prej 24 vjetësh kanë provokime të përditshme, “por kjo e fundit më ka prekur pak më shumë se ka qenë një flamur serb dhe një rus në atë vend, ajo më ka prekur shumë”.
Ai ka shtuar se si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ka një ndjenjë më të veçantë në këso raste, derisa thekson se këta flamuj janë vendosur te vendi i njohur si “Kërshi i Xhemes”.
Tutje, ai ka kërkuar nga institucionet e vendit që ta “kontrollojnë” këtë situatë e jo qytetarët, gjersa potencon se “jam i vendosur se sa herë që të vendoset ai flamur, unë do të shkoj ta heq, pa marrë parasysh çfarë pengesash më dalin rrugës”.
“Unë jam betuar në vitin 1998, e kam dhënë një betim, atë betim akoma e mbaj. Mua nuk më lë rehat varri i Isa Boletinit, 100 metra prej këtij varri me m’i vendos flamujt serbë, më vjen shumë rëndë. Për të gjithë veteranët e Shalës, kjo ka qenë fyerje, një fyerje e rëndë”, ka deklaruar Boletini.