Dy persona tentuan që t’i shtojnë masat e sigurisë në objektin e komunës së Zveçanit.
Prandaj, në ora 01:00 pas mesnatës, nisën saldimin e dyerve kryesore të objektit.
Mirëpo, ky veprim u ra në sy disa zyrtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët intervenuan shpejtë.
Veton Elshani, Zv. Komandant i Policisë për Veri ka thënë se “Dy persona janë arrestuar dhe e kemi sekuestruar një automjet. Pas intervistimit ata janë liruar. Kur kemi arritur në vendin e ngjarjes, e kemi parë që ata kishin nisur saldimin me hekura të derës në objektin e komunës së Zveçanit”.
Të martën, hyrje-daljet në objektin komunal kanë vazhduar pa pengesa.
Ky nuk është incidenti i parë i regjistruar në veri të Kosovës, në prag të betimit të katër kryetarëve të rinj.
Të shtunën ndodhi një shpërthim në afërsi të stacionit të Policisë, ku u shkaktuan disa dëme materiale.
E gjithë këto, sipas ish-ministrit të Brendshëm, Valdet Hoxha, po ndodhin pas paralajmërimeve nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Lista Serbe.
Valdet Hoxha, Ish-zëvendësministër i Brendshëm ka thënë se “Ne duhet të jemi të kujdesshëm. E kam fjalën për strukturat e sigurisë në vendin tonë. Që çdo veprim i yni, natyrisht i ligjshëm dhe me kompetencë të plotë të ndërmerret në koordinim të plotë dhe të ngushtë si veprim strategjik me partnerët tanë ndërkombëtar”.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal akoma nuk e ka caktuar datën e betimit të kryetarëve të rinj shqiptarë të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut e Leposaviqit.