Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Zubin-Potokut, Slavisha Bishevac, nga Iniciativa Qytetare për Zubin-Potok, ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij në këtë komunë, të hënën.
Sipas raportimit të mediumit “Kossev”, dorëheqja e Bishevac thuhet të ketë ardhur ashtu që të parandalohet në mënyrë demokratike marrja e detyrës nga kryetari i sapozgjedhur, Izmir Zećiri.
Bishevac u bë kryetar i Kuvendit Komunal të Zubin Potokut me automatizëm, pasi serbët nga veriu u larguan nga institucionet e Kosovës në nëntorin e vitit të kaluar.
Në atë kohë, pozitat e asamblistëve mbetën bosh në katër komuna.
Për dallim nga Zveçani dhe Leposaviqi, në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin-Potok – asamblistët që automatikisht ishin në radhë në listë, iu dha mundësia për t’i plotësuar vendet e lira.
Dy muaj pas braktisjes së institucioneve në këtë komunë, në Zyrën për minoritete në fshatin Çabër, u mbajt seanca në të cilën bënë betimin 13 këshilltarë të nacionalitetit shqiptar nga LDK-ja, PDK-ja dhe Vetëvendosja.
Më 26 janar të këtij viti, tre këshilltarë të Iniciativës Qytetare për Zubin Potok, së bashku me kryetarin, vendosën të merrnin mandatet e tyre, siç thanë atëherë, në mënyrë që “shqiptarët të mos qeverisin të pavarur në këtë komunë”.
Që atëherë, thanë ata, kanë mbajtur vetëm një seancë formalisht që të mos u hiqen mandatet.
Në zgjedhjet e 23 prillit që u mbajtën në katër komunat veriore të Kosovës, Iniciativa Qytetare për Zubin Potok nuk mori pjesë, duke thënë se nuk besonin që zgjedhjet të jenë organizuar në mënyrë demokratike.
Kryetari i Kuvendit Komunal, Bishevac mori ftesë për ta organizuar seancën ku do të zyrtarizohej kryetari i ri. Ndonëse Iniciativa Qytetare për Zubin Potok tha se ajo do të mbahet me apo pa pjesëmarrjen e saj, Bishevac vendosi të largohej nga posti.