Joseph: Takimi në Berlin nuk do të ndikojë shumë në procesin e dialogut

Profesori Edward P. Joseph nga Universiteti "Johns Hopkins" është shprehur se në thelb nuk pret shumë ndryshim në dinamikën e procesit të dialogut edhe pas takimit në Berlin

Takimi në Berlin ishte i rëndësishëm në “thyerjen e akullit” pas rritjes së retorikës armiqësore midis Serbisë dhe Kosovës.

Me një takim të tillë, si Kurti ashtu edhe Vuçiq u vunë në pozitën që duhej të ndryshonin gjuhën e tyre, dhe të shprehnin një qëndrim pozitiv ndaj dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian(BE).

Kështu ka thënë për KP, Edward P. Joseph, profesor në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington.

Takimet maratonike që u zhvilluan në Berlin më katër maj, që në fokus kishin dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, u komentuan si hap përpara drejt rritjes së dinamikës në procesin e dialogut në mes të të dyja vendeve.

Por, profesori, Edward P. Joseph, është shprehur se në thelb nuk pret shumë ndryshim në dinamikën e këtij procesi, edhe pas këtyre takimeve.

“Në thelb, nga ky takim unë shoh pak ndryshim në dinamikën e zhvillimeve të dialogut. Njerëzit harrojnë se dinamika në dialog ishte e vështirë edhe para se Kurti të bëhej kryeministër për herë të dytë”, ka thënë ai.

Ai ndër të tjera ka shtuar se bisedimet kishin dështuar qëkur Hoti ishte kryeministër, menjëherë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit, kur Beogradi u angazhua në një gjuhë shumë provokuese që në dukje ishte krijuar për të parandaluar përparimin e dialogut.

Sipas tij, në çdo rast, është e qartë se dialogu, si një proces hap pas hapi për përparim, është kryesisht i pafuqishëm, sepse, siç thotë ai, po shihet që edhe çështja e targave është e lidhur në çështjen gjithëpërfshirëse të sovranitetit mbi Kosovën.

Edward Joseph, Profesor i Universitetit në Johns Hopkins

Në janar të këtij viti Shkolla e Studimeve Ndërkombëtare të Avancuara të Universitetit “John Hopkins” dhe “Woodrow Wilson Center”, një nga institucionet prestigjioze akademike në Amerikë, përmes raportit “Nga kriza në konvergjencës-strategjia për luftën kundër jostabilitetit në Ballkan në burimin e saj” ka ofruar disa propozime për të mundësuar zhbllokimin e mosmarrëveshjeve në procesin e dialogut.

Profesori, Edward P. Joseph, e ka udhëhequr ekipin e studiueseve për hartimin e këtij raporti dhe nga kjo përvojë, ka theksuar se problemi i vërtetë në dialog është strukturor.

“Serbia ka avantazhin e levës ndaj Kosovës. Ne e kemi shpjeguar në janar të këtij viti me raportin tonë të SAIS dhe Qendrës Wilson, ‘Nga kriza në konvergjencë’ “, ka thënë Joseph.

Sipas tij, mosmarrëveshja është bllokuar sepse katër vende të NATO-s, Greqia, Sllovakia, Spanja dhe Rumania nuk e njohin Kosovën.

“Nëse do ta njihnin Kosovën, atëherë bllokada e Serbisë ndaj Kosovës, e mbështetur nga Rusia dhe Kina, do të ishte në thelb e pakuptimtë. Në vend të kësaj, Serbia do të kishte më në fund një arsye për të negociuar kushte demokratike dhe të drejta për njohje, pasi nuk mund ta izolonte më Kosovën”, ka shtuar ai.

Për ta avancuar dialogun, sipas profesorit Joseph, rruga përpara mbetet nëse katër anëtarët e NATO-s që nuk e kanë njohur Kosovën, të mund të ecin përpara drejt njohjes.

“Për shembull, duke e futur Kosovën në ‘Partneritetin për Paqe’ të NATO-së. Rruga e ‘Konvergjencës’ që rekomanduam në raportin tonë, mbetet çelësi për zgjidhjen përfundimisht të mosmarrëveshjes mbi Kosovën dhe lejimin e rajonit të ecë përpara”, ka thënë ai.

Ndryshe, profesori Edward P. Joseph i ka dhënë këto komente pas takimeve që u zhvilluan në Berlin, dhe mundësinë e përshpejtimit të dinamikës në procesin e dialogut Kosovë-Serbi i udhëhequr nga BE dhe i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës(ShBA).

Të mërkurën e katër majit në Berlin, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq janë pritur në takime të ndara nga kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz, dhe në mbrëmje kishin një darkë joformale me të dërguarin special të BE-së për dialog Miroslav Lajçak.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika