Avokatët kosovarë të akredituar nga Gjykata Speciale, lajmin për zgjerimin e aktakuzës ndaj ish-krerëve të UÇK-së, e kanë cilësuar si zvarritje të procesit gjyqësor ndaj tyre.
Avokati Artan Qerkini ka thënë se qëllimi i vetëm i zgjerimit të aktakuzës është zvarritja e procedurave, dhe po ashtu t’ia vështirësojë mbrojtjes punën e tyre.
Sipas Qerkinit, me këtë vendim Gjykata Speciale e ka thyer parimin e të drejtave elementare të të pandehurve, sepse afati i gjykimit po bëhet i paarsyeshëm.
“Arsyeja e vetme pse është zgjeruar aktakuza në këtë fazë të procedurës është që Prokuroria t’ia pamundësojë mbrojtjes që mbrojtja të përgatitë një mbrojtje efektive, dhe të zvarritet procedura. Arsye të tjera nuk ka, thjesht dyshoj që këto prova të cilat i kanë sjellë tani në aktakuzën e zgjeruar, Prokuroria nuk i ka pasur edhe në fillim kur është ngritur aktakuza”, ka thënë ai.
Qerkini ka shtuar se procesi jo që nuk duhet të zvarritet edhe më tej, por duhet të përshpejtohet, sepse, sipas tij, krerët e UÇK-së, janë duke u mbajtur në burg pa ndonjë vendim gjyqësor të formës së prerë.
Edhe avokati Taulant Hodaj, ka qenë i mendimit se zgjerimi i aktakuzës nga Gjykata e Hagës, do t’i zvarrisë edhe më shumë procedurat gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas tij, avokatët e të akuzuarve duhet ta kundërshtojnë këtë zgjerim të aktakuzës, sepse, sipas tij, procesit veçse do t’i shtohen edhe disa vite të tjera.
“Rrjedhimisht, ky zgjerim i aktakuzës i jep të drejtën palës mbrojtëse që t’i kundërshtojë prej fillimit zgjerimin e aktakuzës dhe kjo pastaj e prolongon procedurën rrjedhimisht të zgjasë disa vite më shumë sepse mbrojtja tani ka të drejtën t’i kundërshtojë këtë kërkesë për hedhjen poshtë të këtij zgjerimi të aktakuzës. Ky zgjerim i aktakuzës e zvarritë goxha shumë procedurën”, ka thënë Hodaj.
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), do të përballen edhe me akuza të tjera që pritet t’ua rëndojnë rastin.
Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit pritet që t’iu rëndohen akuzat për krime të luftës, kësaj here nën pretendimet se këto krime janë kryer në fshatrat Semetishtë e Budakovë të Suharekës.
“Anëtarët e UÇK-së ua hoqën lirinë së paku 12 personave pa një proces të rregullt ligjor, duke i mbajtur ata në lokacione në Budakovë/Budakovo1 dhe Semetishtë/Semetište2 në periudha të ndryshme ndërmjet 4 korrikut 1998 dhe 29 prillit 1999”, thuhet në anekset e aktakuzës, sipas faqes zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës
Në anekset e aktakuzës, pa përmendur emra, thuhet se pjesëtarët e UÇK-së i kanë shkaktuar viktimave lëndime fizike e psikike.
“Anëtarët e UÇK-së shkaktuan vuajtje ose lëndime serioze mendore ose fizike, ose sulmuan seriozisht dinjitetin njerëzor të viktimave duke i ndaluar në mënyrë arbitrare (shih Pikën 3). Anëtarët e UÇK-së, gjithashtu, u shkaktuan viktimave vuajtje ose lëndime të rënda mendore ose fizike, ose sulmuan seriozisht dinjitetin e tyre njerëzor, duke i keqtrajtuar dhe/ose përmes kushteve të cilave iu nënshtruan viktimave gjatë ndalimit të tyre”, thuhet në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara.
Një pesë e madhe e këtyre anekseve janë të redaktuara, që i bie se publiku i gjerë nuk ka çasje në shumë prej detajeve, siç janë emrat e shumë personave të përmendur.
Në aneksin 7 të aktakuzës së publikuar flitet edhe për një rast që supozohet se ka ndodhur në një konvikt në Komunën e Gjilanit.
Sipas këtij aneksi, viktima supozohet të ketë qenë civil dhe jo me uniformë ushtarake.