Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar 25-vjetorin e Betejës së Llapushnikut.
Sipas Haradinajt, 25 vjet më parë, në Llapushnik po zhvillohej një betejë e cila i dha kahje të re luftës për liri.
“Beteja e Llapushnikut, ishte ndër betejat më të lavdishme të luftës sonë çlirimtare. Trimat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ndalën armikut një prej arterieve kryesore të furnizimit dhe logjistikës, duke shënuar një kthesë me rëndësi në zhvillimin e luftës frontale”, shkroi ai në Facebook.
Me përulje e respekt Haradinaj ka kujtuar dhe nderuar 47 dëshmorë dhe 54 martirë që ranë në altarin e lirisë së Kosovës, lavdia e të cilëve, sipas tij, do të mbijetojë me shekuj.
Kjo betejë u zhvillua për tri ditë me radhë dhe ishte njëra ndër betejat më të lavdishme të UÇK-së.
Lufta e zhvilluar në Grykë të Llapushnikut për kontrollin e kësaj zone, ka qenë më e rëndësishmja për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pasi e bënte të pakalueshme për forcat serbe rrugën Prishtinë – Pejë.
Gryka e Llapushnikut u mbajt e bllokuar për muaj me radhë.
Kjo duke u mundësuar luftëtarëve të UÇK-së që të lëvizin të lirë në një pjesë të madhe të territorit të Kosovës dhe ua mundësoi që të organizohej dhe të furnizohej me armatime.