Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, pasi ka shikuar një video të përgatitur nga gazetarja e RTV Dukagjinit se si për një orë e 15 minuta ka mbërritur nga lagjja “Mati 1”, deri te Parku i Gërmisë, ka thënë se kjo është problemi kyç i kryeqytetit.
Por, sipas tij, ky është rezultat i zhvillimit të hovshëm të Prishtinës, në aspektin e sektorit privat, mirëpo i mungesës të investimeve kapitale në sektorin publik.
Ai ka thënë se problemi i trafikut lidhet drejtpërdrejt me mungesën e infrastrukturës, pasi sipas tij, rrugët janë të mangëta në raport me zhvillimin e qytetit.
“Kemi mungesë të infrastrukturës, pra nuk ka rrugë, rrugët janë të mangëta në relacion me zhvillimin e qytetit, gjithmonë duhesh me ardh nga qendra për me shku në pjesët e tjera. Pra, nuk kemi rrugë ndërlidhëse në zonat periferike”, ka deklaruar ai në Debat Plus.
Po ashtu, Rama ka deklaruar se janë duke punuar për krijimin e rrugëve alternative.
“Edhe për këtë siç e dini, kemi një zhvillim të hovshëm tash rrugëve të reja në të gjitha pjesët e kryeqytetit”, ka thënë tutje ai.