I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se kishte një diskutim të rëndësishëm me të sa i përket draft – statutit të Asociacionit dhe se pret “dakordim” për këtë proces.
“Kemi diskutuar se si Bashkimi Evropian e sheh procesin e hartimit të draft-statutit të Asociacionit në detaje me Kryeministrin dhe besoj se kemi një dakordim mbi këtë proces”, ka thënë Lajçak.
Ai ka thënë se për këtë çështje do të jetë nesër edhe në Serbi për vizitë zyrtare dhe të hënën në Bruksel do të takohet me kryenegociatorët, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.
“Është shumë e rëndësishme që të kemi një mirëkuptim për hapat që do të marrim dhe patëm një diskutim të rëndësishëm. Të njëjtin do ta kem edhe nesër në Beograd dhe do të takoj dy kryenegociatorët, Bislimin dhe Petkoviq të hënën në Bruksel. Të dyja palët duhet të përkushtohen në normalizimin e marrëdhënieve”, ka thënë Lajçak.
Tutje, emisari i BE-së ka thënë se palët mund të kenë ose normalizim ose konfrontim, por duhet të fokusohen në normalizim dhe të shmanget çdo eskalim.
“Mund të keni vetëm normalizim ose konfrontim dhe ne duam të fokusohemi plotësisht në normalizim, prandaj duam të shmangim ndonjë eskalim, kjo nuk është në interesin e askujt”.
Ndër të tjera, ai ka theksuar se në mbrëmje do ta vizitojë Mitrovicën e Veriut për ta parë edhe situatën në terren.