Daçiq falënderon homologun e tij për qëndrimin e Hungarisë duke votuar kundër kërkesës së Kosovës për anëtarësim në KiE

Gjatë vizitës së tij në Hungari, Ivica Daçiq ka falënderuar homologun e tij Peter Szijjarto për qëndrimin e Hungarisë, duke votuar kundër kërkesës së Kosovës për anëtarësim në KiE

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, po vazhdon të shprehet kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, siç është Këshilli i Evropës.

Gjatë vizitës së tij në Hungari, ka falënderuar homologun e tij Peter Szijjarto për qëndrimin e Hungarisë, duke votuar kundër kërkesës së Kosovës për anëtarësim në KiE.

Kështu është bërë e ditur në një postim në Twitter nga MPJ-ja e Serbisë.

“Në emër të Serbisë dhe popullit të saj, ministri i Jashtëm Daçiq falënderoi Hungarinë për qëndrimin e fundit në lidhje me kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Ndonëse Kosova dhe Serbia ishin dakorduar që të mos e pengonin njëra-tjetrën në anëtarësimin e tyre në organizata ndërkombëtare, një gjë e tillë nuk po përfillet nga pala serbe.

Lidhur me këtë ka reaguar ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla.

Ajo me anë të një postimi në Twitter, ka thënë se Serbia po poshtëron Perëndimin duke shkelur me vetëdije dhe qëllimisht marrëveshjen.

“Menjëherë pasi ra dakord me Kosovën për Propozimin e BE-së (i mbështetur fuqishëm nga SHBA ), Serbia poshtëron Perëndimin duke shkelur me vetëdije, qëllimisht dhe haptazi Nenin 4 të Marrëveshjes Themelore”, shkroi ajo.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, më herët gjatë ditës deklaroi në Beograd se shteti i tij do të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Në Nenin 4 të Marrëveshjes Serbia zotohet se nuk do ta pengojë Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në asnjë organizatë ndërkombëtare dhe të hënën bëri pikërisht të kundërtën.

Ndryshe, ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka njoftuar të hënën se Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës ka marrë vendim që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës.

Sipas Gërvallës, Komiteti që përfaqëson 46 shtetet anëtare të KE-së, mori këtë vendim në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022.

Këshilli i Evropës, organizata më e vjetër evropiane që merret me zhvillimin e demokracisë dhe të drejtat e njeriut, ka procedura të caktuara për pranimin e anëtarëve të rinj. Këto procedura kalojnë përmes Këshillit të Ministrave dhe Asamblesë Parlamentare, ku marrin pjesë deputetët nga parlamentet e shteteve anëtare.

Lidhur me këtë vendim, pati 33 vota për, shtatë kundër dhe pesë abstenime.

“Për shtetin tonë të ri, vendimi i sotëm përbën një hap historik, ndoshta më të rëndësishmin pas pavarësisë sonë. Me këtë vendim përmbyllet një etapë e rëndësishme drejt anëtarësimit të plotë”, shkroi Gërvalla në Facebook, duke shtuar se “mbetet edhe shumë punë për t’u bërë”.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Është themeluar më 1949.

Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Kjo organizatë ka realizuar edhe fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes, si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Evropë.

Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin, si dhe që të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.

Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, mirëpo ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.

Dy trupat kyçë të Këshillit janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika