I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, është pyetur nga gazetarët për qëndrimin e Bashkimit Evropian mbi modelin kroat për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Emisari evropian ka thënë se BE-ja pranon atë që është në pajtim me vlerat dhe normat evropiane.
Ai ka thënë se kjo është theksuar që prej fillimit nga BE-ja dhe se janë të qartë në lidhje me këtë qëndrim.
“Për BE-në e pranueshme është ajo që është e bazuar në normat dhe vlerat e BE-së dhe që është në pajtim me modelet ekzistuese evropiane”, ka thënë Lajçak.
Ndërkaq, në këtë takim, Lajçak ka thënë se kanë diskutuar se si BE-ja e sheh procesin e hartimit të draft-statutit të Asociacionit në detaje dhe se palët duhet të fokusohen në normalizim të marrëdhënieve e jo në konfrontim.