Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka pritur në takim kryetarët e rinj të komunave në Veri të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se MAPL-ja do të jetë në koordinim me kryetarët dhe asambleistët e zgjedhur në konstituimin e organeve komunale brenda afateve kohore të përcaktuara me ligj.
“Erdenit, Lulzimit, Izmirit dhe Ilirit i kam uruar përgjegjësinë dhe detyrën e re. MAPL, do të jetë në koordinim me Kryetarët dhe asambleistët e zgjedhur në konstituimin e organeve komunale, brenda afateve kohore të përcaktuara me ligj”, ka shkruar Krasniqi.
Ndryshe, në zgjedhjet e 23 prillit në veri, sipas KQZ-së, në garën për kryetarin e ri të Komunës së Leposaviqit, fitues është shpallur Lulzim Hetimi nga Lëvizja Vetëvendosje me 73.5 për qind të votave të fituara.
Kjo parti fitoi garën edhe në Mitrovicë të veriut. Kreu i ri i kësaj komune do të jetë Erden Atiq, që ka fituar 66.9 për qind të votave.
Dy komuna i kanë fituar kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës. Komunën e Zveçanit do ta udhëheqë Ilir Peci nga kjo parti me 59 për qind të votave të fituara. Ndërkaq, në Zubin Potok fitues u shpall Izmir Zeqiri me 52.2 për qind të votave.