Tajvani shpreson se bota do ta sanksionojë Kinën, ashtu siç po e sanksionon Rusinë për luftën e saj kundër Ukrainës, nëse Pekini pushton ishullin e Tajvanit, ka thënë të shtunën Ministri i Jashtëm, Joseph Wu.
Tajvani i është bashkuar sanksioneve të udhëhequra nga Perëndimi ndaj Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë, dhe të premten e ka shtuar edhe Bjellorusinë në këtë listë.
Këto lëvizje janë kryesisht simbolike, duke pasur parasysh nivelet minimale të tregtisë së drejtpërdrejtë të Tajvanit me Bjellorusinë ose Rusinë, raporton Reuters.
Por, gjendja e rëndë e Ukrainës ka fituar simpatinë e gjerë të publikut në Tajvan për shkak se, shumë njerëz e shohin si paralele midis asaj që po ndodh në vendin evropian, dhe asaj që mund të ndodhë nëse Kina përdor ndonjëherë forcën për të sjellë ishullin që e pretendon si të vetin nën kontrollin e tyre.
Sipas Wu, ishte e rëndësishme të qëndronin me të tjerët në denoncimin e pushtimit dhe sanksionimin e Rusisë dhe Bjellorusisë.
“Në të ardhmen, nëse kërcënohemi me forcë nga Kina, ose pushtohemi, sigurisht që shpresojmë se komuniteti ndërkombëtar mund ta kuptojë dhe mbështesë Tajvanin dhe të sanksionojë këto lloj sjelljesh agresive”, ka shtuar ai.
“Pra, Tajvani qëndron me komunitetin ndërkombëtar dhe i ndërmerr këto veprime,” ka thënë Wu, duke iu referuar sanksioneve.
Tajvani ka ngritur nivelin e tij të gatishmërisë që nga fillimi i luftës në Ukrainë, me kujdes të posaçëm ndaj Kinës, e cila mund ta bënte një lëvizje të ngjashme sikurse Rusia, edhe pse qeveria në Taipei nuk ka raportuar asnjë shenjë të ndonjë sulmi të mundshëm të Kinës.
Kina e cila nuk e ka dënuar pushtimin e Rusisë, ka hedhur poshtë çdo krahasim me Tajvanin, duke thënë se Tajvani nuk është shtet, por është thjesht një provincë kineze. Këtë pikëpamje, qeveria e zgjedhur në mënyrë demokratike në Taipei e kundërshton fuqishëm.
Duke folur për të njëjtën ngjarje, kryetari i parlamentit të Tajvanit, You Si-kun, ka thënë se Ukraina ka “performuar shumë mirë”, duke i qëndruar përballë Rusisë për më shumë se 70 ditë, duke fituar kështu “admirimin” e Tajvanit.
“Shpresojmë që Ukraina patjetër të jetë fituese dhe të qëndrojë e palëkundur deri në fund në fitoren e saj”
Se si do të reagonte bota ndaj një pushtimi kinez të Tajvanit është e paqartë, duke pasur parasysh se shumica e vendeve, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe të gjitha vendet anëtare të BE-së kanë vetëm lidhje diplomatike formale me Pekinin, jo me Taipein, dhe ndryshe nga Ukraina nuk e njohin Tajvanin si shtet të pavarur.