Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në përurimin e Impiantit të Ujërave të Zeza në Komunën e Gjakovës, ku tha se Kosova është në rrugën e duhur për të siguruar mbrojtjen e mjedisit dhe avancimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore.
Ky është impianti i tretë, që përurohet në dy vitet e fundit, ku Kurti ka theksuar se partnerët zhvillimorë janë partnerë, jo vetëm për financimin e projekteve të këtilla, por edhe për përvojën dhe praktikat më të mira, që i sjellin te ne nga vendet e tyre, për të operuar impiante të tilla, që janë akoma risi.
Ai shprehu gjithashtu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin me Republikën Federale të Gjermanisë dhe Konfederatën Zvicerane, duke përmendur që për këtë projekt, Banka zhvillimore gjermane KfW ka kontribuuar me 6 milionë euro, qeveria zvicerane me 7.6 milionë euro, ndërsa komuna ka shtuar edhe 3.2 milionë euro.
“Me impiantet në Pejë, Gjakovë dhe Prizren, ne kemi arritur të trajtojmë rreth 11% të ujërave të ndotura në nivel vendi, nga 1% sa kishim në fillim të mandatit dhe Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për ta avancuar edhe më shumë këtë sektor”, tha Kurti , duke shtuar më tutje se janë gati për të filluar ndërtimin e tri impianteve të ujërave të ndotura në Mitrovicë, Gjilan dhe Ferizaj, së bashku me Bankën Evropiane për Zhvillim.
Kryeministri Kurti shtoi më tutje se pas përurimit të impianteve të ujërave të zeza në Prizren, Pejë e Gjakovë, do të vazhdohet me punën për impiantin në Gjilan, që do të kushtojë 23 milionë euro, në Mitrovicë, për investim 40 milionësh dhe në Prishtinë, për projektet e impiantit dhe rrjetit të kanalizimit, që kap vlerën rreth 160 milionë euro.
Ai tha se sfidë e këtij projekti është kostoja për mirëmbajtjen dhe operimin e impiantit dhe se një nga shpenzimet më të mëdha për ujësjellësit është rryma elektrike.
“Prandaj, Qeveria është angazhuar dhe ka ndarë fonde, si dhe po negocion me partnerët zhvillimor, për të punuar në efiçiencën e energjisë”.
Duke falënderuar stafin e KRU Gjakova për punën e palodhshme, të cilët arritën në kompletimin e kësaj vepre, Kurti tha se Qeveria e Kosovës synon të sigurojë që investimet në mjedis do të jenë të qëndrueshme dhe të përfitojnë i gjithë komuniteti.
Pas fjalëve hyrëse dhe ceremonisë së përurimit, Kurti pa nga afër impiantin dhe punën që zhvillohet nga ky impiant.